E veja e Sllobodan Millosheviqit, Mirjana Markoviq u varros sot në Serbi

Hiri i të vejës së Sllobodan Millosheviq, Mirjana Markoviq, e cila vdiq në Rusi me 14 prill, është varrosur sot pranë burrit të saj në një ceremoni në të cilën morrën pjesë aleatë politikë dhe dy të dënuar si kriminelë lufte.

Urna e cila mbante hirin e Mirjana Markoviqit, të vejës së ish presidentit të Serbisë dhe Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, është varrosur sot afër burrit të saj në kopshtin e familjes së tyre, në Pozharevc të Serbisë.

Në varrim morrën pjesë disa nga bashkëpunëtorët politikë të familjes Millosheviç, duke përfshirë dy kriminelë të dënuar të luftës, ish-zëvendëskryeministri i Jugosllavisë Nikola Sainoviç dhe kreu i Partisë Radikale Serbe dhe deputeti Vojislav Sheshelj, i cili organizoi funeralin.

Vajza e Markoviçit, Marija Millosheviç nuk mori pjesë, por dërgoi një letër që u lexua në funeral, ku dënonte mediat për raportimin e tyre, për rolin e nënës së saj në kohën e sundimit të Millosheviçit.

“Goebbels nuk është asgjë në krahasim me propagandën kundër nesh në mediat serbe”, thuhej në letër.

Ish-Ministri i Shëndetësisë nga Partia e Bashkuar e Majtë e Markoviqit, Milovan Bojiq, mbajti një fjalim që cilësonte Millosheviçin si një “udhëheqës të madh” dhe “martir serb”, duke thënë se gruaja e tij “rrezatonte mirësi”.

Zyrtarët e Partisë Socialiste të Serbisë, e cila u krijua nga Millosheviçi dhe është pjesë e qeverisë aktuale serbe, vendosën një kurorë në varr.

Një numër i qytetarëve gjithashtu u mblodhën për të respektuar Markoviçin, e cila vdiq në moshën 76 vjeç nga pneumonia.

Markoviç u largua nga Serbia për në Rusi, në vitin 2003 pasi Millosheviçi ishte dërguar në Hagë për t’u gjykuar për krime lufte, megjithëse ai vdiq në vitin 2006 para aktgjykimit në gjyqin e tij. Asaj i ishte dhënë azil politik nga Moska.

Ajo, djali i saj Marko dhe vajza Marija, kërkoheshin nga Serbia për krime që varionin nga korrupsioni deri tek shpërdorimi i detyrës në posedim ilegal të armëve. Besohet se ata kanë të fshehura dhjetëra miliona euro në llogari të jashtme.

Interpoli lëshoi ​​një “njoftim të kuq” për arrestimin e saj, pasi autoritetet serbe e akuzuan atë për shpërdorim të detyrës me nxitje dhe me ndërhyrje të paligjshme. Megjithatë, Rusia refuzonte ekstradimin e saj në Serbi.

Gjykata e Apelit në Beograd, kohët e fundit, hodhi poshtë një vendim që e kishte gjetur Markoviçin fajtore për shpërdorim të detyrës, për ndërhyrjen në ndarjen e apartamenteve shtetërore dhe dërgoi rastin për rigjykim.

Markoviç është akuzuar se ka qenë prapa vrasjes së gazetarit të shquar, Slavko Curuvija në Beograd në prill të vitit 1999, një nga vrasjet më të famshme të kohës së Millosheviçit. Ajo kishte mohuar përfshirjen e saj.

Serbia dënoi katër ish-oficerë të sigurimit të shtetit serb, për vrasjen e Curuvijas më 5 prill, por personi apo personat që dhanë urdhër për të vrarë gazetarin, mbetën të pagjykuar.