E pranon Veseli: Kush e ka pushtetin i bën punësimet

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka pranuar shkallën e thellë të nepotizmit në shërbimin publik të Kosovës.

Veseli tha se është i vetëdijshëm që besimi i qytetarëve ka rënë drastikisht për shkak të punësimeve politike në sektorin publik.

“Situatën nuk e kemi shumë mirë te emërimet se nuk kemi besim të qytetarëve, edhe qytetarët po largohen, kjo nuk i duhet Kosovës se po zvogëlohet çdo ditë popullata. Ne duhet të bëjmë edhe më shume, ne duhet të jemi më të përgjegjshëm, të krijojmë besim më të madh te qytetarët. Kush e ka pushtetin, hiç nuk po mërziten kah 3 e 4 vetë po i punësojnë”, tha Veseli.

Këto komente ai i bëri në konferencën e projektit të Ambasadës Britanike për Rekrutimin e Pozitave të Larta Drejtuese.

Ai tha se ky projekt ishte dashur të zgjerohej për të mbuluar edhe pozita të tjera.

 

“Në fakt ky projekt ka ecur për tre vite, kur flasim për besimin e qytetarve po shohim që ai po bie.Në marrëveshje është dashtë me u përfshi edhe disa pozita të tjera që nuk janë të përfshira. Ndërmarrjet publike duhet të jenë të përfshira, për drejtorin e Policisë e të Doganës ne do të duhej të japim përgjegjësi si institucione”, tha Veseli.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN Kosova) në kuadër të bashkëpunimit me Ambasadën Britanike është duke punuar në monitorimin e proceseve të rekrutimit në disa institucionet.