E konfirmon Policia: Për vrasjen në Suharekë dyshohet oficeri i Policisë

Policia e Kosovës e ka konfirmuar se për rastin e vrasjes që ka ndodhur sot paradite në Suharekë i dyshuar është një oficer i Policisë.

Komandanti i Policisë Rajonale të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, tha në një konferencë për media të mbajtur në Prishtinë se ekzistojnë dyshime se vrasjen e të riut nga Mushtishti e ka kryer një rreshter i stacionit policor Veri në Prizren.

“Rasti ka ndodhur në orën 9:47 minuta në rr. “Skënderbeu”, në një lokal-kazino, i cili punon 24 orë. Ne kemi dalë në vend të ngjarjes dhe aty kemi parë që viktima ka qenë i vrarë me armë zjarri dhe ka qenë pa shenja jete. Këtë e ka konstatuar mjeku kujdestar. Dyshimet e para janë se vrasjen e ka kryer një pjesëtar i policisë së Kosovës, rreshter në stacionin policor Veri në Prizren”, tha Krasniqi.

Më tutje ai tregoi se është bastisur banesa dhe shtëpia e të dyshuarit dhe me urdhër të prokurorit personi i dyshuar është arrestuar për 48 orë.

Për këtë rast, tha Nexhmi Krasniqi, janë njoftuar IPK dhe Prokuroria.

KALLXO.com raportoi pak më parë se i dyshuari për rastin e vrasjes në Suharekë është një oficer i Policisë.

https://kallxo.com/oficeri-i-policise-dyshohet-per-vrasjen-e-sotme-ne-suhareke/