E dëmtuara: Avokati më  tha ti paguaj 20 mijë euro kryetarit të trupit gjykues e nga 10 mijë anëtareve

Mirjeta Imeraj, dëshmitare në gjykimin ndaj ish-avokatit të babait të saj, Haxhi Çekaj  tha se  avokati  e kishte këshilluar t’i jap ryshfet gjyqtarëve.

“Nuk ka pasur pazar dhe unë nuk kam dhënë ryshfet dhe pas një takimi vetëm me Çekaj i kam thënë a bon me e ditë se sa duhet me ja dhënë trupit gjykues. Më ka thënë 20 mijë kryetarit të trupit gjykues e ka 10 mijë anëtareve”, tha e dëmtuara ti kishte thënë avokati.

Në gjykimin ndaj ish-avokatit Haxhi Çekaj i cili po akuzohet për veprën penale të mashtrimit ka vazhduar dëshminë e dëmtuara e rastit Mirjeta Imeraj.

E dëmtuara Mirjeta Imeraj ka dhënë dëshminë e saj duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Haxhi Çekaj, avokatit Besnik Berisha.

Ajo nga avokati Berisha kryesisht u pyet në lidhje me mënyrën se si avokati Haxhi Çekaj ishte angazhuar si avokat mbrojtës për babanë e të dëmtuarës ndaj të cilit zhvillohet një procedurë penale dhe se si kishte arritur deri te lajmërimi i rastit tek hetuesit policor nga ana e Mirjetës.

E dëmtuara tha se avokatin Haxhi Çekaj e kishte angazhuar vetë babai i saj i cili i kishte dhënë autorizimin Çekajt, ndërsa për pagesat në lidhje me shërbimet që avokati i kishte kryer, tha se i ka kryer ajo.

Ajo deklaroi se avokati Haxhi Çekaj kishte qenë mbrojtësi i babait të saj dhe se në kuadër të kësaj kishte ndërmarrë një serë veprimesh në mënyrë që ta provonte pafajësinë e babait të saj.

Tutje e dëmtuara Mirjeta Imeraj tha se ajo ka qenë në gjendje që të bëjë gjithçka vetëm e vetëm që ta provonte pafajësinë e prindit të saj në lidhje me këtë tha se i kishte kërkuar avokatit që nëse ishte nevoja të kryheshin ekspertiza si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Në lidhje me një ekspertizë e cila ishte bërë jashtë shtetit, e dëmtuara deklaroi se avokatit ja kishte dhënë shumën prej 13 mijë eurove, 13 mijë euro për ekspertizë ndërsa dy mijë euro deklaroi se avokati i kishte kërkuar për shpenzime të rrugës, ku në vend të dy mijë ajo tha se ja kishte dhënë tre mijë euro që në total në lidhje me atë ekspertizë jashtë vendit deklaroi se ajo të akuzuarit Haxhi Çekaj ja kishte dhënë shumën në vlerë prej 16 mijë euro.

Pos shumës prej 16 mijë euro në emër të ekspertizës, e dëmtuara tha se avokatit tashmë të akuzuar ja ka dhënë edhe tre herë nga pesë mijë euro.

“Tre herë i kam dhënë nga pesë mijë euro. Pesë mijë në fillim përmes Nazmi Selmanaj ku unë nuk kam qenë prezent, pesë mijë në zyre në prezencë të Nazmi Selmanaj dhe po edhe pesë mijë të tjera ja kam dhënë në parking në Deçan në prezencë të Nazmiut”, deklaroi ajo.

Më pas e dëmtuara duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Berisha deklaroi se si e kishte lajmëruar rastin e ryshfetit tek hetuesit policor në Prishtinë.

“Me 20 tetor 2016 kur më vjen mua mesazhi qe ma qon avokati në lidhje me qato para atëherë unë e thërras hetuesin. Kur ma dërgon mesazhin aty thotë thirrem prej një qisi por prej një tjetër”, tha e dëmtuara ti kishte thënë i akuzuari duke nënkuptuar që ta thërriste nga një numër tjetër.

Ajo tha se më pas menjëherë e ka telefonuar tashmë të akuzuarin.

“Haxhiu më ka thënë a je në qato fjalë se u takova edhe me Nushën, gjyqtare që ka marrë pjesë në trup gjykues. Unë i kam thënë po ai më ka thënë të thirri edhe një herë më vonë por nuk më ka thirrë”, tha e dëmtuara ti kishte thënë nëpër mes telefonit i akuzuari.

Më pas ajo tha se menjëherë pas kësaj bisede e kishte lajmëruar rastin tek hetuesit policor.

Madje e dëmtuara tha se në  bisedat që  kishte pasur me avokatin gjatë  kohës sa ajo kishte qenë  në  Kosovë , avokati i kishte thënë se gjykata mund ta marrë “në qafë” babanë e saj ndonëse është i pafajshëm.

“Kanë thënë këtu është Kosovë nuk ka drejtësi në atë kohë e ka pas një klient të tij që e kanë dënu me 18 vjet edhe pse ishte i pafajshëm, ka thënë duhet me ba diçka se gjykata na marrin në qafë se është njeri i pafajshëm” tha e dëmtuara ti kishte thënë avokati.

Në lidhje me këtë teme Mirjeta Imeraj tha se është takuar dy herë dhe ka biseduar me avokatin në Kosovë.

“Hera e parë që kemi fol në qebaptore unë kam mbet e shokuar, herën e dytë që jemi kon edhe me Nazmiun kemi fol por shuma nuk janë përmend, unë asnjë përgjigje as jo as po se kam thënë. Nuk e bëjë dhe se kisha bërë asnjëherë. Herën e parë më ka thënë se gjykata nuk fëlliqet me pak, kryetarja e trupit gjykues e donë dyfishin e këtyre anash”, deklaroi e dëmtuara se i tha i akuzuari.

Ndonëse e ajo deklaroi se nuk kishte dhënë ryshfet, tregoi se pasi që e kishte lajmëruar rastin tek hetuesit policor ishte takuar përsëri me avokatin dhe e kishte pyetur për shumën se sa duhej të paguante.

“Nuk ka pasur pazar dhe unë nuk kam dhënë ryshfet dhe pas një takimi vetëm me Çekaj i kam thënë a bon me e ditë se sa duhet me ja dhënë trupit gjykues. Më ka thënë 20 mijë kryetarit të trupit gjykues e ka 10 mijë anëtareve”, tha e dëmtuara ti kishte thënë avokati.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Çekaj, në cilësinë e avokatit të të akuzuarit N.B., ndaj të cilit zhvillohet procedura penale në Gjykatën Themelore në Pejë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten apo për personin tjetër, ose për t’i shkaktuar dëme materiale personit tjetër, e ka mashtruar në kontinuitet të dëmtuarën M.I., nga data 06.01.2015 e deri më datën e arrestimit të tij më 15.02.2017.

Sipas aktakuzës, Çekaj kishte marrë para për mbrojtjen e N.B, babait të të dëmtuarës, në emër të mbrojtjes dhe në emër të ekspertizave, marrjes së një ekspertize nga Turqia, një shumë të përgjithshme prej 43 mijë euro.

Aktakuza sqaron se ish-avokati ka marrë nga e dëmtuara edhe shumën tjetër në emër të trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Pejë prej 40 mijë euro, shumë kjo e konfiskuar nga ana e zyrtarëve me rastin e arrestimit të të pandehurit më 15 shkurt.

Ky rast është  në  mesin e rasteve të  shënjestruara për liberalizim të  vizave.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor. Raportimet për këtë rast mund t’i gjeni në këtë link.