Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

E akuzuara ndryshon deklaratat: Kam dashur t’u hakmerrem Zanës e Hanës

Në gjykimin për mashtrim me subvencione, të akuzuarat Zana Kotorri, Ardiana Gorani dhe Hana Berisha, kanë dhënë mbrojtjen para Gjykatës së Prishtinës.

Në mbrojtjen e saj, Ardiana Gorani tha se nuk i qëndron pranë deklarimeve të dhëna në Prokurori e Polici, me arsyen se me ato deklarata kishte për qëllim që t’u hakmerrej Zana Kotorrit dhe Hana Berishës, pasi që i kishte parë të pranishme në një proces gjyqësor kundër saj, duke menduar se të njëjtat kishin ardhur për t’ia keqësuar gjendjen.

“Nuk qëndroj pranë deklaratave, sepse kur i pash në gjykimin tim në Ferizaj u irritova pasi që mendova që kishin ardhur për të ma vështirësuar gjendjen dhe pa u menduar fare i dhashë ato deklarata“, tha Gorani.

Ajo deklaroi se kishte falsifikuar letrën, në të cilën thuhej se ia kishte dhënë motrës së Zana Kotorrit 160 euro, ashtu që kur ishte ftuar në Polici, e kishte ndryshuar të njëjtën duke ia shtuar dy zero dhe duke e bërë në 16000 euro.

“Kemi pasë me i shpërnda disa dhurata dhe kam ftuar Zanën me më ndihmu. Ajo e ka dërgu motrën në vend të saj, dhe pasi që munguan dhuratat unë ia dhashë 160 euro në mënyrë që ajo t’i blejë ato dhurata dhe kur jam ftu në seanca e kam marrë letrën dhe ia kam shtuar edhe dy zero me kompjuter“, tha e akuzuara Gorani.

Ndërsa në lidhje me provën e bisedës në “Facebook”, me Hana Berishën, Gorani deklaroi se e kishte hapur një profil në “Facebook” dhe kishte shkruar vetë në emër të saj për t’iu revanshuar.

Arsyeja pse hoqi dorë nga deklaratat sipas saj është se nuk dëshiron që për fajin e saj dy të akuzuarat të shkojnë në burg.

“Është e vështirë që me e çu dikë në burg, jam vetë duke vujtë në burg dhe me shku edhe ndonjë femër tjetër është shumë e rëndë“, tha Gorani.

Ndërsa ish-sekretarja e përgjithshme e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim (MKK), Zana Kotorri, i mohoi akuzat se paraprakisht ishte marrë vesh me Hana Berishën që kjo e fundit t’i gjente njerëz për të konkurruar për projekte.

E akuzuara Hana Berisha në mbrojtjen e saj tha se asnjëherë nuk i ka marrë 15 mijë euro nga Ardiana siç pretendon Prokuroria.

“Jo nuk i kam marrë ato para, mirëpo e kam nënshkruar një dokument për dhënien e 160 eurove, për blerjen e dhuratave për SOS fshatin, por nuk e kam analizua çfarë po nënshkruaj për shkak se ishin për SOS Fshatin“, tha Berisha.

Ajo po ashtu deklaroi se ka biseduar me Ardianën në “Facebook”, por asnjëherë në lidhje me projektet.

Në këtë proces gjyqësor Ish-sekretarja e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim (MKK), Zana Kotorri akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, marrje ryshfeti dhe mashtrim me subvencione.

Gjatë këtij procesi gjyqësor e akuzuara Ardiana Gorani e ka pranuar fajësinë për veprën penale të mashtrimit.

Ardiana Gorani dhe Hana Berisha akuzoheshin edhe për dhënie ryshfeti, mirëpo akuza ndaj tyre ka arritur parashkrimin.

https://kallxo.com/e-akuzuara-per-mashtrim-me-subvencione-e-pranon-fajesine/

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Kotorri dhe Berisha ishin marrë vesh që të gjejnë persona të interesuar për subvencione nga kjo Ministri dhe pastaj shumën e subvencioneve të ndajnë përgjysmë, ashtu që gjysmën e shumës ta marrë e pandehura Kotorri dhe gjysmën tjetër e pandehura Berisha.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Ardiana Gorani, përmes Hana Berishës kishte rënë në kontakt me Zana Kotorrin, ku kjo e fundit duke tejkaluar kompetencat e saj, ia kishte përgatitur dokumentet për aplikim për subvencione të pandehurës Gorani.

Në aktakuzë thuhet se shuma e cila u nda si subvencion ishte 66.465.00, të cilat mjete pas ndarjes nga ana Ministrisë të pandehurat i kishin ndarë mes tyre, ku 33.232.00 euro i kishte marrë e pandehura Kotorri, 15.000.00 euro i kishte marrë Hana Berisha dhe pjesën tjetër e kishte marrë Ardiana Gorani.