E akuzuara akuzon avokatin se gënjeu për shëndetin e tij për të mos ardhur në seancë

Ka dështuar sërish të jepet fjala përfundimtare e planifikuar në gjykimin e të akuzuarës Merita Shehu.

Shtyrja e seancës edhe për herën e dytë u bë për shkak të mungesës së avokatit të saj.

E akuzuara Shehu për përvetësimin e mbi 23 mijë eurove nga institucioni financiar ‘Finca’, tha se ka revokuar autorizimin e avokatit të saj Esat Gutaj.

“Arsyeja që dua të marr avokat tjetër është se avokati Esat kishte gënjyer se kishte pasur marramendje dhe këtë do ta paraqes në odë të avokatëve e do të ankohem”- u deklarua Merita Shehu pranë gjykatores së Gjakovës.

Këtij pretendimi iu përgjigj avokati Gutaj, i kontaktuar nga KALLXO.com.

“Nuk është e vërtetë çka ka thënë Merita në seancë, e vërteta është që unë rrugës për në gjykim kam pasur marramendje dhe kam kërkuar tretman mjekësor ku edhe mjeku më ka thënë që kam pasur luhatje me tension.E pastaj klientja Merita, ka ardhur në zyrë më ka thënë që s’më beson më si avokat dhe e njëjta e ka revokuar autorizimin”, tha Gutaj.

Ai shtoi se nuk ka pasur arsye për ta gënjyer

Në anën tjetër, Shehu gjithashtu tha se nuk është e përgatitur për fjalën përfundimtare, e po ashtu kërkoi nga gjykata që kjo seancë të shtyhet në mënyrë që ta angazhojë një avokat tjetër.

“Dje kam biseduar me avokatin që planifikoj ta marr Ndrec Dodaj por ishte i zënë këto ditë”- tha ajo.

Gjyqtari Shaqir Zika caktoi datën 30 korrik, për dhënien e fjalës përfundimtare.

Kujtojmë se para dy ditësh e njëjta seancë dështoi si shkak i mungesës së avokatit së të akuzuares.

Ne muajin maj në këtë çështje kishin dëshmuar edhe ish-kolegët e të akuzuares.

Në lidhje me këtë rast Gjykata e Gjakovës kishte refuzuar kërkesën për hedhjen e aktakuzës ndaj Merita Shehut, e akuzuar për përvetësim në detyrë.

Gjyqtari Shaqir Zika, aktakuzën e Prokurorisë e kishte vlerësuar të bazuar edhe përkundër faktit që mbrojtësi i të akuzuarës Shehu, avokati Esat Gutaj kishte pretenduar që aktakuza nuk është e mbështetur në prova materiale.

Në seancën e mbajtur në muajin janar, e akuzuara Merita Shehu kishte kërkuar marrëveshje me Prokurorinë.

Ndërkaq në seancën e parë, Merita Shehu, nuk e kishte pranuar fajësinë.

Ndërsa i autorizuari i ‘Finca-s’, Auberon Kelmendi, kishte thënë se i bashkëngjitet ndjekjes penale dhe se si institucion mikro- financiar kërkojnë kompenzim dëmi.

“E akuzuara nuk e ka përmbushur detyrimin ndaj Institucionit Mikro-financiar Finca, andaj në kërkesën pasurore juridike kërkojnë kompensimin e shumës prej 23.977.60 euro”-kishte thënë Kelmendi.

Sipas aktakuzës, këto veprime janë konsumuar në muajin janar  e deri në qershor 2018.

Merita Shehu si arkëtarë në Institucionin mikrofinanciar Finca, në Degën në Rahovec, po akuzohet nga Prokuroria se ka marrë shumën e të hollave prej 14,200.00 euro, e po ashtu ka përvetësuar ratat e 40 klientëve në shumë prej 9.777,50.00 euro.