Ilustrim
Dyshimet e Policisë: Motivi i Vrasjes së Gruas në Skenderaj - një Telefon
Blerja e një telefoni “Samsung” dyshohet të jetë motivi i vrasjes të së premtes të një gruaje në një fshat të Skenderajt.
KALLXO.com ka siguruar një raport zyrtar të Policisë i cili flet për motivin që e shtynë Xh.T. të qëllojë për vdekje gruan e tij dhe plagosë baxhanakun dhe gruan e tij.
Sipas raportit të parë të Policisë, i dyshuari Xh.T kishte deklaruar në polici se kishte një mosmarrëveshje me baxhanakun e tij për shkak të një telefoni.
Çifti D.S. dhe F.S. (motra e gruas së të dyshuarit) pretendohet se i kishin blerë një telefon celular gruas së dorasit.
“Për shkak të kësaj, i dyshuari Xh.T. e kishte thirrur në telefon D.S.-në dhe e kishin lënë të takoheshin në Runik. D.S. ka dalë në takim me bashkëshorten e tij, F.S.”, thuhet në dokumentin e Policisë.
I njëjti sqaron se në momentin e takimit i dyshuari e kishte thyer xhamin e veturës me pushkë “Dhjetëshe” ka shtënë në drejtim të viktimave D.S. e F.S., duke i plagosur të dy.
I dyshuari menjëherë është kthyer nga Runiku në Radishevë ku edhe banon, e ka nxjerrë bashkëshorten në oborr dhe e ka vrarë, dyshohet me të njëjtën armë, thuhet në raport.
Sipas informacioneve të siguruara nga KALLXO.com, Policia në Skenderaj ishte njoftuar të premten rreth orës 17:20 për një rast të plagosjes me armë zjarri në fshatin Runik.
Sipas këtyre informacioneve të besueshme, në Emergjencën e Skenderajt ishin dërguar tre persona të plagosur me armë zjarri dhe se si pasojë e plagëve F.T. kishte vdekur.
Ndërsa, i plagosur D.S. fillimisht ishte dërguar në Spitalin Rajonal të Mitrovicës e më pas në QKUK, në Prishtinë.
Kurse, bashkëshortja e D.S., F.S., që është motra e F.T., ishte dërguar në QKUK.
Po ashtu, KALLXO.com ka mësuar se ndërkohë ishte arrestuar i dyshuari, i cili ishte sjellë në stacionin e Skenderajt bashkë me armën me të cilën dyshohet se ka kryer veprat penale.