Dyshime dhe parregullsi në ndarjen dhe shpenzimin e mbi 800 mijë eurove në fushatën "Let’s do It Kosova"

Në janar të këtij viti kishte përfunduar aksioni ‘Ta pastrojmë Kosovën’, dhe ishte cilësuar si njëra nga fushatat më të suksesshme si nga krerët shtetëror ashtu edhe nga organizatorët.

Mirëpo Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), në analizimin e pasqyrave financiare të Zyrës së Kryeministrit kanë se thënë nuk janë në gjendje të konfirmojnë nëse fondet në vlerë prej 815,035€ të cilat qeveria e Kosovës i ka ndarë për themelimin e Task Forcës për pastrimin ne ambientit në Kosovë janë shpenzuar në mënyrë të rregullte dhe në përputhje me ligjin.

“Vlera e projektit ishte 815,035€. Në projekt përfshihet pastrimi i të gjitha komunave, eliminimi i afër 1000 deponive ilegale dhe pastrimi i mbeturinave në hapësirat publike. Për qëllime të këtij projekti, deri në fund të vitit 2018 janë kryer gjithsej pagesa në vlerë prej 806,838€. Lidhur me këto pagesa, nuk ekzistojnë dëshmi të përshtatshme dhe të mjaftueshme nëse ato janë shpenzuar në pajtim me procedurat dhe kërkesat ligjore”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Tutje në raport thuhet se për realizimin e këtij projekti janë anashkaluar procedurat për subvencionimin e OJQ-ve, siç janë të përcaktuara me Rregulloren nr. 04/2017 mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit të OJQ-ve.

Zyra Kombëtare e Auditimit, poashtu ka vërejtur parregullsi edhe në mënyrën sesi OJQ-të kanë bashkëpunuar si dhe në mënyrën sesi ministria  Ambientit i ka përmbushur obligimet e saj.

“Nuk ka kontratë në mes ZKM dhe përfituesit të subvencionit OJQ-së “Ta pastrojmë Kosovën”, e cila do të përcaktonte përgjegjësitë dhe detyrimet e palëve në realizimin e këtij projekti. Nga plani i aktiviteteve shihet se MMPH duhej të merret me alokimin e mjeteve logjistike dhe financiare, ndërsa ZKM do të merrej vetëm me pjesën ceremoniale të organizimit, por në këtë rast ZKM ka kryer të gjitha pagesat”, thuhet në raport.

Përveç kësaj auditori ka ngritur pikëpyetje edhe tek mënyra sesi OJQ-të kanë arsyetuar shpenzimin e fondeve për blerjen e artikujve të cilët janë përdorur në fushatë.

“Pagesat ishin kryer vetëm në bazë të faturave të dorëzuara nga ana e OJQ-së përfituese. Përveç faturave, ZKM nuk ka raporte financiare dhe narrative të dorëzuara nga ana e përfituesit për arsyetimin dhe përshkrimin e saktë të artikujve të faturuar dhe aktiviteteve të kryera në kuadër të këtij projekti”, thuhet aty.

Poashtu auditori ka kritikuar ministrinë e ambientit për mosdorëzimin e ndonjë raporti financiarë sesi janë shpërndarë fondet dhe artikujt.

“ Në fund të aktivitetit, MMPH ka dorëzuar një raport përmbledhës për punët e kryera gjatë këtyre tre muajve, por jo edhe ndonjë raport financiar dhe ndonjë raport përshkrues për shpërndarjen e disa artikujve, siç janë kontejnerët dhe shportat”, thuhet tutje.

ZKA ka kritikuar edhe Koordinatorin e Task Forcës, Besmir Kokollarin për mos raportimin në Qeveri një herë në muaj për zbatimin e Planit operativ.

Auditori ka rekomanduar urgjentisht Kabinetin e Kryeministrit dhe Koordinatorin e Task Forcës që të bëjnë një raport financiar për fushatën ‘Let’s do it Kosova’.

“Sekretari i Përgjithshëm në bashkëpunim me Kabinetin e Kryeministrit dhe Koordinatorin e Task Forcës brenda një afati sa më të shpejtë duhet të bëjnë një analizë gjithëpërfshirëse të realizimit të projektit “Ta pastrojmë Kosovën” dhe të sigurojnë të gjitha raportet financiare dhe raportet tjera të cilat konfirmojnë se të gjitha pagesat e kryera janë të bazuara dhe të mbështetura me dëshmi”, thuhet në rekomandim.

Fushata Ta Pastrojmë Kosovën kishte filluar më 15 shtator dhe ka zgjatur deri më 15 dhjetor dhe kishte për qëllim largimin e mbeturinave, pastrimin e lokacioneve të ndryshme si dhe gjelbërimin e disa hapësirave.

KALLXO.com ka kërkuar nga Luan Hasanaj informacione se sa para i ka marrë “Let’s do it Kosova” për këtë projekt, por ai nuk ka dhënë përgjigje.

‘Pluhuri’ që la pas fushata ‘Ta Pastrojmë Kosovën’

www.kallxo.com