Gjykata Themelore në Prishtinë - Foto: KALLXO.com

Dy Zyrtarët e ART-së Deklarohen të Pafajshëm

Dy zyrtarët e Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit-ART, Ekrem Hoxha dhe Lulzim Kurtaj, u deklaruan të pafajshëm në gjykimin ku po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Prokurori i rastit, Arian Gashi duke lexuar aktakuzën e tij tha se dy zyrtarët kanë keqpërdorur detyrën e tyre.

“I pandehuri Ekrem Hoxha në cilësinë e kryetarit të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit (ART) dhe Kurtaj në cilësinë e anëtarit të të njëjtit bord, kanë përzgjedhur operatorin ekonomik ‘R & T’ SH.P.K nga Tirana edhe pse ky operator ka konkurruar me tri oferta dhe për shkak të shkeljeve ky tender është kthyer në rivlerësim nga OSHP-ja”, lexoi prokurori Gashi.

Sipas Gashit bëhet fjalë për tenderin “Qendra Nacionale e Monitorimit të Radiospektrit” të datës 16 tetor 2011.

Prokurori Gashi më tutje tha se edhe pas kthimit në rivlerësim të tenderit nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, përsëri ka fituar kompania “R & T” SH.P.K.

“Nuk e kanë përfillur vendimin me të cilin i kanë shqiptuar gjobë ART-së për shkelje të procedurës së tenderimit në vlerë prej 30 mijë euro, mirëpo ART me rastin e rivlerësimit të ofertave përsëri e ka shpallur fituese kompaninë e njëjtë”, lexoi më tutje prokurori.

Pasi të dy të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm, avokati i Ekrem Hoxhës, Florent Latifaj kërkoi që gjykimi të pushohet sepse sipas tij aktakuza e këtij rasti është vjetruar dhe nuk është respektuar afati i hetimeve.

Ky propozim u refuzua nga gjykata me arsyetimin se ka kaluar koha e kundërshtimeve, ndërsa seanca e radhës do të mbahet në muajin korrik.

KALLXO.com ka shkruar edh më herët për këtë proces gjyqësor.

http://kallxo.com/shtyhet-seanca-e-ish-zyrtareve-te-art-se/