Ndërtesa e Komunës së Gjakovës | Foto: KALLXO.com

Dy të Vrarë në Jahoc të Gjakovës

Dy persona kanë mbetur të vrarë në fshatin Jahoc të Gjakovës.

Lajmin për të vrarët e ka bërë të ditur për KALLXO.com, komandanti i Stacionit Policor në Gjakovë Kristë Gjokaj.

Sipas Gjokajt, dy të vrarët janë të moshës rreth 50 vjeçare, ndërsa vrasja ka ndodhur pas një zënke.

KALLXO.com mëson se një person ka shtënë drejt tjetrit dhe më pas ka qëlluar edhe veten.

Policia Rajonale e Gjakovës më pas me anë të një komunikate njoftoi për të shtënat në Jahoc të Gjakovës.

Sipas komunikatës, policët me të dalë në vend të ngjarjes kanë gjetur dy persona të qëlluar me armë zjarri në një lokal.

“Policia menjëherë ka arritur në vendin e ngjarjes dhe në Restorantin ‘Glory’ në Jahoc ka gjetur dy persona të goditur me armë zjarri.  Mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tyre”, sqarohet në komunikatë.

Të vdekur nga të shtënat janë personat me inicialet P. S. e K. M., i pari i lindur në vitin 1962 dhe i dyti 10 vjet më vonë.

“Sipas një dëshmitari okular mësohet se viktima K. M ka shtënë me armë zjarri ( pistoletë ) në personin P. M dhe menjëherë në të njëjtin vend është vetëvrarë”, thuhet në komunikatën e policisë.

Policia tregon se në vend të ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë e nevojshme për hetimin e ngjarjes tragjike, ndërsa trupat e pajetë do të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Tre persona qenë vrarë në Gjakovë edhe në gusht të vitit të kaluar.