ILUSTRIM: Arrestimi i një të dyshuari- Policia e Kosovës

Dy të arrestuar për vjedhjen në ëmbëltore

Policia e Prizrenit ka arrestuar dy të dyshuar për vjedhje të rëndë.

Sipas njoftimit të Policisë, rreth orës 03:37 minuta, Policia në Prizren ka pranuar një informatë e cila bënte me dije për një vjedhje të rëndë e cila kishte ndodhur në rrugën “Ismet Jashari”, konkretisht në ëmbëltoren “Daja”.

Sipas raporteve hetimore dhe provave materiale merret vesh se njëri nga të dyshuarit ka depërtuar me forcë në ëmbëltore me ç‘rast e ka përvetësuar një portofol me një shumë parash ndërsa i dyti kishte bërë roje.

Më pas, të dy janë larguar në drejtim të panjohur.

Policia njofton se pas shpërndarjes së informatës, hetues policorë dhe policë patrullues kanë arritur t’i identifikojnë dhe t’i arrestojnë të dyshuarit.

Tek njëri është gjetur një boks metalik dhe një shumë parash.

Të ballafaquar me provat dhe faktet e tjera, sipas Policisë është hedhur dritë në tërësi mbi ngjarjen.

Me urdhër të prokurorit të shtetit të dyshuarit janë ndaluar në masën e arrestit policor.