Dy Punëtorë të Vdekur Këtë Muaj në Vendin e Punës

Rreziqet dhe pasiguria e punëtorëve në sektorin e ndërtimit, ka bërë që shumë herë punëtorët të ngrenë zërin dhe të kërkojnë nga institucionet përkatëse plotësim të kushteve për ta.

Në fillim të këtij muaji, për shkak të mungesës së mjeteve mbrojtëse të punës, dy punëtorë gjetën vdekjen duke punuar.

Një punëtor i KEK-ut, këtë muaj ra nga një lartësi prej 30 metrave, ndërsa një tjetër punëtor fizik në Gjilan deri sa ishte duke zbrazur nga kamioni material ndërtimor, ka prekur telat e rrymës ku më pas vdiq nga plagët e marra.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Avni Hajdini tha se punëtorëve duhet t’u krijohen kushtet e punës, ndërsa sipas tij në rast se ka ngjarje si ato më lart, për familjet e punëtorëve që humbin jetën në vendin e tyre të punës duhet të ketë ndihmesa sociale.

“Ne ende nuk kemi të definuara ligjërisht që punëtorët kur pësojnë fatalitete në vendin e punës nuk marrim asnjë masë, dhe nuk kompensohen me ndonjë masë. Nuk e mbush familjen asnjë masë e cila merret sepse e ndjen mungesën e njeriut që e humb, por një ndihmesë sociale ose një ndihmesë ekonomike duhet të ndahet në kësisoj rastesh. Si temë kjo nuk është diskutuar asnjëherë, kjo temë duhet të futet nëpër federata dhe me menaxhmentin që duhet të bëhet një marrëveshje interne se në kësi lloj rastesh duhet të ketë ndihmesë për familjet”, tha Hajdini.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, tha se inspektorati është i informuar në lidhje me rastet e vdekjes së dy punëtorëve, ndërsa shtoi se është duke pritur raportin final ku më pas do të shqyrtohen masat që do të merren për punëtorët.

“Ne nuk guxojmë të rrimë duarkryq dhe të shikojmë punëtorët tek humbin jetën në vendet e punës së tyre. Natyrisht Inspektorati është i informuar me kohë dhe në të dyja rastet ka bërë të gjitha veprimet e nevojshme. Po pres që të kem raportin edhe për rastin e Gjilanit dhe për rastin e KEK-ut dhe të shikojmë për masat që do të merren nga Inspektorati. Ne duhet të marrim masa që të mos ndodhin lëndime në punë të mos ndodhin raste të tilla sikurse këto dyja në fillim të vitit”, tha Reçica.

Vetëm në vitin 2017, janë shënuar 15 raste ku punëtorët e ndërtimit kanë vdekur si pasojë e mungesës së mjeteve të sigurisë në vendet e punës. /21Media