Prokuroria në Prizren | Foto: KALLXO.com

Dy Policë Akuzohen se Liruan Automjetin e Pa Zhdoganuar

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave me inicialet F.T dhe R.K. që të dy zyrtarë policorë-pjesëtarë të Policisë së Trafikut Rrugor për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se sipas aktakuzës të pandehurit F.T. dhe R.K., në cilësi të bashkëkryerësve si persona zyrtarë, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër.

Në njoftim thuhet se “të pandehurit F.T. dhe R.K,  gjatë orarit të punës,  pasi që e sekuestrojnë përkohësisht automjetin për shkak të vetaksidentit, nuk hapin rast për vetaksident dhe me dashje lirojnë automjetin e tipit Volvo V40 dhe ia dorëzojnë personit F.K., edhe pse e kanë ditur se ky automjet është vetaksidentuar dhe ka rezultuar i pa zhdoganuar”

Më tej në njoftim përshkruhet se sipas aktakuzës, në automjetin e njëjtë janë vendosur targat e regjistrimit që nuk i përkisnin dhe si i tillë nuk është dashur të lirohet nga ana e të pandehurve, por të dorëzohet në terminalin doganor në Prizren, për zhdoganim.

Prokuroria pretendon se me këto  veprime në bashkëkryerje të pandehurit F.T. dhe R.K., kanë kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit  zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31të KP-së.