Foto-ilustrim

Dy orë pas grabitjes me armë zjarri në Gjakovë, policia arreston tre të dyshuar

Një grabitje me armë zjarri ka ndodhur mbrëmë rreth orës 09:30, në Gjakovë.

Një person ka raportuar në polici se të dyshuarit kanë grabitur të holla në vlerë 2 mijë e 500 euro.

Dy orë pas marrjes së informacionit për grabitjen me armë zjarri, policia ka arritur të identifikojë dhe të arrestojë tre persona të dyshuar, J.P, 28 vjeçar, S.P, 27 vjeçar dhe G.V, shtetas i Shqipërisë, 21 vjeçar.

Policia ka njoftuar se në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit me urdhër të së cilit personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje.

Policia po vazhdon në mënyrë intensive masat operativo hetimore për të zbardhur në tërësi këtë rast dhe veprat e tjera të mundshme të këtij grupi.

Në njoftimin e policisë thuhet se në zonën e përgjegjësisë së Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë gjatë këtij muaji kanë ndodhur edhe dy raste tjera të tentim grabitjes me armë e që fal përkushtimit policor dhe qasjes profesionale këto raste janë ndriçuar dhe janë arrestuar kryesit e këtyre veprave, ndaj të cilëve janë ushtruar kallëzime penale dhe lëndët e kompletuara janë dërguar në Prokurorinë Themelore në Gjakovë  për procedim të mëtutjeshëm.