Foto: CNN

Dy kanadezë të menduar si të zhdukur janë të dyshuar për vdekjen e 3 personave

Dy adoleshentë kanadezë, për të cilët Policia tha se ishin zhdukur javën e kaluar, tani konsiderohen si të dyshuar për vdekjen e një gruaje të re amerikane dhe të dashurit e saj australian, si dhe vdekjen e një personi të panjohur, raporton CNN.

Kam McLeod, 19 vjeç dhe Bryer Schmegelsky, 18 vjeç, konsiderohen të rrezikshëm dhe qytetarët nuk duhet t’u afrohen atyre, thanë autoritetet.

Ata dyshohen për vdekjen e Chynna Noelle Deese, një amerikane 24 vjeçare dhe Lucas Robertson Fowler, të dashurit të saj australian 23 vjeçar. Trupat e tyre u gjetën më 15 korrik në Alaska Highway rreth 12 milje në jug të Liard Hot Springs, tha Policia.

Fowler ishte duke jetuar në British Columbia, dhe ata ishin duke eksploruar zonën ndërsa Deese ishte duke vizituar atë, tha zyrtarja e Policisë, Janelle Shoihet. Nëna e Deese, Sheila Deese, tha se çifti ishin duke udhëtuar përmes Kanadasë deri në Alaskë.

Policia tha se një makinë që i përkiste McLeod dhe Schmegelsky u gjet duke u djegur të premten në anën e autostradës 37. Ndërsa hetonte zjarrin, Policia zbuloi trupin e një njeriu të panjohur më shumë se një milje larg, tha RCMP në një deklaratë.

Autoritetet lëshuan një skicë të personit të panjohur që u gjet i vdekur për të ndihmuar në konfirmimin e identitetit të tij.