Artistët gjermanë dhe kryeministri Haradinaj - Foto: KALLXO.com

Dy artistë gjermanë prezantojnë në Prishtinë teknika unike të të bërit art

Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në performancën “Tape that” të dy artistëve nga Gjermania.

Performanca është organizuar nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë dhe është hapur sonte në hollin e Teatrit Kombëtare të Kosovës.

Dy artistë gjermanë nga Berlini, Cedric Goussanou dhe Nicolas Lawin për disa ditë më radhë kanë punuar në hollin e Teatrit Kombëtar të Kosovës për të krijuar punën e tyre artistike, përmes shiritave, duke i ngjitur në një pllakë druri, një punë që si teknikë shpërfaqet për herë të parë para publikut kosovar.

Me këtë rast, kryeministri i Kosovës ka thënë se artistët gjermanë kanë bërë një punë mjaft interesante, duke sjellë në Kosovë një mënyrë të re të të bërit art.

Ndërkaq, ka shtuar se kjo performancë është një rast i mirë për artistët kosovarë, për t’u njohur me trendet e reja krijues.

“Kjo është një ngjarje më rëndësi dhe një mundësi nga artistët gjermanë për ta futur Kosovën në hartën kulturore që ata duan , njëkohësisht një mundësi  për artistë tanë për bashkëpunime të tilla në fushën e artit”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Kurse ambasadori gjerman në Prishtinë  Christian Heldt tha se artistët kanë punuar me përkushtim për realizimin kësaj vepre.

“Videot tregojnë se si është punuar ‘tape art’.  Artistët kanë ardhur këtu me çanta të mëdha e shumë ngjitës me ngjyrë. Kam dëgjuar se vetëm një dyqan në Berlin ka material të tillë, vepra është një shprehje artistike me ngjitës me ngjyrë”, ka thënë ndër të tjera ambasadori Heldt.

Cedric Goussanou dhe Nicolas Lawin kanë vite që e praktikojnë këtë stil të të bërit art, ku përmes shiritave me lloj -lloj ngjyra, duke shfrytëzuar hapësirat të ndryshme, qoftë edhe mure, krijojnë vepra të ndryshme arti.