Driton Gashi, ish-shefi i AKI-së merret në pyetje 6 orë për rastin e 'gylenistëve'

Rreth gjashtë orë ka zgjatuar intervistimi i ish-drejtorit të AKI-së, Driton Gashi nga Komisioni Hetimor Parlamentar rreth deportimit të gjashtë shtetasve turq në mars të këtij viti.

Dy anëtarët e këtij komisioni, Frashër Krasniqi dhe Sami Kurteshi, para fillimit të intervistimit kërkuan që mediat të marrin pjesë në komision, por me shumicë të votave u vendos që Driton Gashi të intervistohet pa praninë e mediave dhe publikut.

Kryetari i Komisionit Hetimor për deportimin e shtetasve turq, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media tha se për të gjitha shkeljet të cilat deri më tani janë identifikuar nga Komisioni Hetimor, ka tendencë që topi të hidhet nga një institucion në tjetrin.

“Do të dalim me një raport i cili do të pasqyrojë të gjithë atë çfarë kemi bërë në këtë komision. Ka dëshmi të mjaftueshme për shkelje ligjore, por fajin primar po mundohen ta hedhin nga njëri tek tjetri”, tha Sfeqla.

Ai po ashtu shtoi se Komisionit Hetimor është duke bërë përpjekje që të identifikohen përgjegjësit kryesorë.

“Po mundohemi të identifikojmë përgjegjësit kryesorë. Nuk kemi ende qartësi se prej kujt ka ardhur urdhri, por po punojmë në këtë drejtim”, u shpreh Sfeçla.

Sipas tij, në planin e veprimit të Komisionit Hetimor është paraparë që edhe kryeministri Ramush Haradinaj dhe presidenti Hashim Thaçi të ftohen për intervistim para komisionit.

Mandati i Komisionit Hetimor rreth deportimit të gjashtë shtetasve turq në mars të këtij viti zgjatë edhe një muaj brenda të cilit komisioni duhet të dorëzoj raportin në seancën plenare.

Para tri ditëve, i njëjti komisioni ka bërë intervistimin e ish-drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, tani shef i AKI-së.

https://kallxo.com/fotogaleri-maxhuni-raporton-per-debimin-e-gylenisteve/

Pas intervistimit të Maxhunit, kryetari i komisionit, Xhelal Sfeçla kishte thënë se janë identifikuar një numër i madh i shkeljeve qoftë ligjore, qoftë procedurale, të cilat do të adresohen në raportin e komisionit.

Sot ishte paralajmëruar që do të intervistohen edhe Inspektori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Shkëlzen Sopjani dhe Ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Pal Lekaj, por intervistimi i tyre është shtyrë për një ditë tjetër për shkak të agjendës së tyre.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar rreth rastit të arrestimit dhe depërtimit-dëbimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi. Raportet mund t`i shini duke klikuar në LINK