Lojtarë të klubit kampion të Kosovës - Drita - Foto: Facebook/BehgjetPacolli

Drita mëson kundërshtarin në 'Europa League'

Kampioni i Kosovës në futboll, Drita, pas eliminimit nga kualifikimet në ‘Champions League’ nga Malmo me rezultat të përgjithshëm 5 me 0 tani do ta vazhdoj aventurën në ‘Europa League’.

Në raunin kualifikues në Europa League, Drita do të ketë përballë ekipin ‘F91 Dudelange’ nga Luksemburgu.

Përballja e parë do të luhet me 26 korrik në Luksemburg kurse ndeshja e kthimit do të luhet pas një jave në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Nëse Drita do të dilte fituese nga përballja me ekipin nga Luksemburgu atëherë në raundin e ardhshëm do të ndeshet me fituesin e lojës ndërmjet Legia Warszawa (POL) dhe Spartak Trnava (SVK).