Drita Hajdari: Kam rihapur rastin e Vasfije Krasniqi Goodman

Prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Drita Hajdari, tha se ka marrë vendim që të rihapen hetimet për rastin e dhunimit të Vasfije Krasniqit Goodman nga forcat serbe gjatë luftës.

Hajdari e ftuar në emisionin ‘Jeta në Kosovë’ tha se rihapjen e rastit e ka bërë mbi bazën e përgjegjësive komanduese.

“Rasti i Vasfije Krasniqit është rihapur. Unë kam vendos me rihap rastin e saj mirëpo jo kundër kryesve në fjalë sepse ndaj tyre procedura ka përfundu me aktgjykim të formës së prerë, nuk kam mundësi, nuk kam asnjë bazë ligjore, asnjë mundësi ligjore, me paraqit mjet të jashtëzakonshëm. Unë kam vendos me rihap rastin mbi bazën e përgjegjësive komanduese, sikurse që do të veproj dhe jam duke vepruar edhe në rastet e tjera të dhunës seksuale gjatë luftës”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se njëra ndër arsyet e rihapjes së rastit të Vasfijes është sepse dhunimi është përdorur si armë nga armiku.

“Po e bëj këtë sepse e kanë kry dhunimin gjatë luftës, ka qenë mjet i luftës, ka qenë një prej metodave të luftës. Nuk kanë ndodhur këto dhunime në Kosovë rastësisht, nuk janë incidente  të izoluara. Janë siç e thash armë të cilën armiku e ka përdorur gjatë luftës”, ka treguar prokuroja.

Drita Hajdari tha se e ka bërë kërkesën e saj në Polici.

“Kam lëshuar një kërkesë, një autorizim Policisë, Njësisë së hetimit për krimet e luftës, ku i kam përcaktuar taksativisht detyrat dhe veprimet që ata duhet t’i ndërmarrin në këtë rast, mes te tjerash prapë kanë me u intervistu  dëshmitarët okularë, ndoshta edhe Vasfija në të ardhmen”, tha Hadjari.

Ajo po ashtu ka thënë se këtë vendim e ka marrë më rastin e dëgjimit të rrëfimit të saj në medie, të cilën e ka ftuar edhe personalisht në zyrën e saj.

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: