Rrugë në Dresnik - Foto: KALLXO.com

Dresniku i Vjetër i Harruar nga Qeverisjet e Pasluftës

Edhe pse ndodhet shumë pranë Klinës, të gjitha qeverisjet e pasluftës në këtë komunë nuk kanë investuar në fshatin Dresnik.

Banori Dedë Dedaj thotë për KALLXO.com se rrugët me baltë dhe ujërat e zeza që rrjedhin të pambuluara janë shqetësimet kryesore të dresnikasve.

“Shumëkush nuk kanë makina dhe si bie shi fëmijët mbesin  pa shkuar në shkollë se është rrugë katastrofë e prishur. Edhe kanalizimi siç po e shihni, këtu shpesh bëhen edhe insekte dhe është droja mu sëmurë e të hapet far epidemie”, tha Dedaj.

Banori tjetër i Dresnikut Lorenc Dedaj tha se asnjë subjekt politik që nga paslufta nuk investoi në këtë fshat.

“Janë shtruar rrugë e asfaltime gjithkah, kurse të na aspak. Nuk kemi asnjë parti që deri tash mundemi me i thanë faleminderit për diçka që kanë bërë për ketë vend”, tha ai për KALLXO.com.

Dresniku është fshat i vjetër dhe në të ka shumë gjetje arkeologjike, por banorët thonë se vetëm gjatë zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar në rrugë janë derdhur disa kamionë me zhavorr.

Qeveritarët e rinj të Komunës së Klinës thonë se në buxhetin e ndarë nga ish-qeverisja për gjashtë muajt e parë të këtij viti nuk janë paraparë investime në Dresnik.

Por Iber Elezaj, drejtori i Shërbimeve Publike në Klinë premton investime në Dresnik në gjashtëmujorin e dytë të 2018-ës.

“Nëse nuk mundemi këtë gjatëmujorin e parë, sigurisht në gjashtëmujorin e dytë do ketë patjetër diçka, mirëpo ne ato prioritete do i bëjmë bashkë me banorët e fshatit, për shkak se ata na i përcaktojnë prioritetet, e jo ne nga zyrat”, tha Elezaj.