Dreshaj kërkon falje dhe ka porosi për Arben Gashin

Depueti i AAK-së Gani Dreshaj nëpërmjet një postimi në facebook sqaroi veprimet e tij të djeshme në Kuvendin e Kosovës.

Dreshaj, dje, pasi Xhavit Haliti e Arben Gashi u përfshinë në një debat me fjalë që përfundoi me shtyrjen e Gashit nga Haliti, u inkuadrua në këtë incident duke ndërruar fjalë me Gashin.

Dreshaj tregoi se nuk kishte qëllim të qëronte hesapet me askënd.

“Qëllimi im nuk ishte që të qëroj hesape me askënd, por i tregova deputetit Gashi se nuk është e hijshme që të nxisë situata të tilla me fjalorin banal që kohëve të fundit po e shfaq në parlament dhe më pas të nxisë situata të tilla ndaj deputetit që me moshë mund të jetë baba i tij”, shkroi Dreshaj.

Ai konstatoi se nuk ishte qëllim i tij tregimi i i trimërisë.

“Së pari dua të sqaroj se synimi im si deputet nuk ka qenë kurrë, e nuk do të jetë asnjëherë shfaqja e trimërisë, e forcës, por përfaqësimi i denjë si i përzgjedhur i popullit.”, vijoi Dreshaj postimin e tij.

Ai më tutje sqaroi se nuk kishte për qëllim ta mbronte Halitin që e cilësoi shok të kahmotshëm të tij, por kështu do të vepronte “ndaj secilit deputet tjetër në këtë moshë, të çfardo partie qoftë”.

Dreshaj pati porosi edhe për deputetin Arben Gashi.

“E porosis Arben Gashin që të zgjedhë fjalë më të pjekura në Kuvend, sepse këto që po i thotë nuk përfaqësojnë kulturën e familjes së tij, të cilën e njoh mirë”, shkroi Dreshaj.

Ai në fund kërkoi falje për veprimet e tij të djeshme.

“Kërkoj falje nëse dikush mund të jetë ndier keq për këto situata, por qëllimi nuk ka qenë, nuk është e nuk do të jetë kurrë për nxitje të dhunës në parlament”, përfundoi Dreshaj.

KALLXO.com shkroi dje për incidentin mes Xhavit Halitit e Armend Gashit.