KDI: Drenasi e Gjakova më Transparentet, Veriu më i Mbylluri

Trendi i rritjes së transparencës në publikimin e dokumentacioneve që kanë të bëjnë me prokurim publik, mungesa e publikimit të shpenzimeve nga komunat e Kosovës, mungesa e informacioneve dhe dokumenteve që lidhen me shpenzimet e tatimeve të qytetarëve, janë elemente të publikuara në raportin e Institutit Demokratik të Kosovës KDI mbi “Indeksin e transparencës për Komunat e Kosovës”.

Në raportin e KDI-së paraqiten komunat më transparente sa i përket publikimeve të njoftimeve për dhënie të kontratës në web faqet komunale, ku si më transparente rangohen Drenasi, pasuar nga Gjakova, Kaçaniku, Novo Bërda, Prishtina dhe Istogu, përderisa si komuna të mbylluara dhe aspak transparente rangohen komunat e veriut të Kosovës, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi.

Artan Canhasi nga KDI gjatë prezantimit të raportit potencoi se te komunat transparenca është rritur te qasja për dokumente publike si dhe te prokurimi publik, përderisa transparenca buxhetore dhe ajo e ankandeve publike mbeten në një shkallë të ulët.

“50% e komunave nuk e kanë publikuar buxhetin, transparenca në prokurim publik prapëseprapë ka rritje për 16%, dhe së fundi transparenca në ankande publike, këtu kemi një shkallë të ulët të transparencës”, tha Canhasi.

Bekim Salihu nga Instituti GAP tha se kryetarët e komunave sipas ligjit janë të obliguar t’i publikojnë shpenzimet në mënyrë periodike, e jo vetëm një raport financiar për një vit me shpenzime të përgjithshme.

“Transparenca në komuna sa i përket shpenzimit të parasë publike me të vërtetë ka shënuar rritje duke bërë krahasime nga viti në vit por nuk është në nivel të kënaqshëm. Me ligj kryetarët e komunave obligohen t’i publikojnë raportet 3 mujore të shpenzimeve në web faqen e komunës e një gjë e tillë nuk po ndodh”, tha Salihu.

Hajrulla Çeku nga Organizata jo Qeveritare “Ec Ma Ndryshe” tha se sistemi i mëhershëm i transparencës ka qenë i ngjashëm, por falë OJQ-ve ky trend ka ndryshuar tash ka diversitet në mes transparencave komunale, përderisa reformat në prokurim publik dhe në punësim i sheh me një trend të ngadalshëm.

“Atë çka jemi duke e vërejtë nëpër komuna sa i përket transparencës kemi mjaft diversitet, më herët një sistem i ngjashëm i transparencës është zhvillu njëjtë te të gjitha komunat, në vitet e fundit kjo ka ndryshuar, po zhvillohet një garë mes tyre”, tha Çeku.