Drenas: Mishi i dyshimtë bartej me kombibus

Inspektorët e Komunës së Drenasit, ne bashkëpunim me Policinë e Drenasit, kanë konfiskuar sot produkte të mishit të cilat ishin duke u transportuar në mënyrë ilegale.

Sipas njoftimit të komunës, produktet e mishit po transportoheshin në kushte jo adekuate e higjienike dhe pa dokumentacion të duhur të prejardhjes dhe transportit.

Komuna ka njoftuar se transporti i këtyre produkteve po bëhej me kombi- bus për transport të udhëtareve, ku shoferi i këtij automjeti kishte shfrytëzuar automjetin e tij në mënyrë ilegale për transport të produkteve ushqimore.

Sipas komunës, për këtë rast janë ndërmarrë të gjitha masat ligjore ndaj transportuesit të këtyre produkteve.

“Drejtoria e Inspeksionit është duke bërë inspektime të vazhdueshme për të rritur sigurinë e përdorimit të produkteve ushqimore në subjektet afariste-hoteliere gjatë sezonit veror për të mirën e qytetarët e Komunës së Drenasit. Kërkojmë nga qytetarët të bashkëpunojnë me inspektorët komunal dhe policinë, që nëse hasin në një dukuri të tillë, të lajmërojnë organet përkatëse”, njofton Komuna e Drenasit.

KALLXO.com raportoj më herët për më shumë se 200 kilogram mish të prishur i cili u konfiskuar sot në Komunën e Skenderaj.