Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës

Drejtuesit e Prishtinës në Listën e Deputetëve

Me anë të një postimi në Facebook kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka konfirmuar se bashkë me zëvendësin e tij Dardan Sejdiu janë përfshirë në listën e deputetëve të Lëvizjes “Vetëvendosje”.

“Lëvizja ‘Vetëvendosje’ ka marrë vendim që në këtë betejë të përdorim të gjitha resurset pa kursim. Bashkë ne të gjithë kemi vendosur si udhëheqësi komunale të angazhohemi maksimalisht në këtë garë, prandaj edhe unë edhe nënkryetari edhe disa drejtorë kemi vendosur të jemi në listën e Lëvizjes ‘Vetëvendosje’”, ka shkruar Ahmeti.

Ai ka ftuar më pas ata që mendojnë që ka punuar mirë në Prishtinë që ta përkrahin këtë listë.

“Të gjithë ata të cilët pajtoheni me punën tonë të vazhdueshme në Prishtinë e që nuk do të ndalet, të gjithë ata të cilët pajtoheni me qëndrimet tona e të cilat do ti shprehim në çdo forum, dhe të gjithë ata të cilët pajtoheni me angazhimin tonë e i cili veçse do të shtohet, ju ftoj të na përkrahni”, ka shkruar më tutje Ahmeti.

Ahmeti është kryetar i Prishtinës që nga zgjedhjet e nëntorit dhe dhjetorit të vitit 2013 kur në balotazh e mposhti Isa Mustafën.

KALLXO.com merr vesh se pesë të parët në listën e “Vetëvendosjes” janë Albin Kurti, Visar Ymeri, Aida Dërguti, Shpend Ahmeti e Dardan Sejdiu.

Lëvizja “Vetëvendosje” ka vendosur që e vetme të garojë në zgjedhjet e 11 qershorit.

Sot KALLXO.com shkroi se pjesë e kandidatëve për deputetë të “Vetëvendosjes” do të jenë edhe të akuzuarit për sulmin e vjetshëm në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

http://kallxo.com/te-akuzuarit-per-terrorizem-kandidate-te-lvv-se/