Drejtori i Sigurisë Flet për Gjendjen e Astrit Deharit në Paraburgim

Sipas Drejtorit të Sigurisë në Burgje në Shërbimin Korrektues të Kosovës, Burim Buleshkaj, gjatë kontrolleve mjekësore te i ndjeri Astrit Dehari nuk janë vërejtur shenja të mërzitjes me të cilat do të rekomandohej një mbikëqyrje më e madhe ndaj tij.

Buleshkaj pretendon se raportet e punëtorëve socialë, psikologëve dhe mjekëve nuk kanë thënë se Dehari ka qenë në gjendje të keqe mendore apo emocionale.

“E ka vizituar psikologu, mjeku, punëtori social dhe raportet e tyre thonë që e ka gjendjen e mirë, qetë. Do të thotë nuk ka pasur asnjë vërejtje siç kemi raste kur me rekomandime të punëtorit social apo psikologut të çon në vëzhgim më të shpeshtë apo edhe permanent”, tha Buleshkaj.

Emisioni ‘Jeta në Kosovë’ i moderuar nga Jeta Xharra, sonte iu kushtua gjendjes së sigurisë në burgje me theks të veçantë në rastin e fundit të vdekjes së dyshimtë të aktivistit të paraburgosur të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari në qendrën e paraburgimit në Prizren.

Megjithëse hetimet janë në proces dhe ende nuk ka konkluzione se si ka ndodhur vdekja, drejtori Buleshkaj thotë se vëzhgimi i të burgosurve bëhet në rastet e kërkesave të veçanta edhe nga punëtorët socialë apo psikologët.

Dhe sipas tij, kjo nuk ka qenë rasti me Astrit Deharin.

“As psikologu as dikush tjetër nuk kanë mundur të nxjerrin që ai ka qenë diçka i mërzitur”,  tha Buleshkaj.

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’ mund ta shikoni në linkun më poshtë: