Bujar Hasani, ish-drejtor komunal i Urbanizmit në Prizren. Foto: Kallxo.com

Drejtori i Inspeksionit Akuzohet për Uzurpim pas Hulumtimit të Kallxo.com

Departamenti për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj Bujar Hasanit dhe personit me inicialet E.B. për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, si dhe uzurpimit të paligjshëm të pronës së paluajtshme.

Sipas aktakuzës i pandehuri Bujar Hasani nga data 10.09.2016 e deri më tani në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar, përkatësisht drejtor i Drejtorisë së Inspekcionit në Komunën e Prizrenit, duke e shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me dashje nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare të përcaktuara me ligj, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, duke mos ndërmarrë masat e duhura në pajtim me autorizimet e tij ligjore për largimin e aneks-konstruktit metalik të vendosur si vazhdimësi e lokalit, pronar i së cilës është vet i akuzuari, e cila gjendet në zonën e mbrojtur të qytetit. Me këtë i pandehuri ka uzurpuar në mënyrë të kundërligjshme pronën e paluajtshme të Komunës së Prizrenit në Zonën e Mbrojtur të Qytetit.

Hasani, akuzohet se ka kryer veprat penale: Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe Uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme.

KALLXO.com, në një hulumtim të bërë më 7 prill 2017, raportoi se drejtori i Inspekcionit Bujar Hasani, nuk ka vepruar ndaj lokalit të tij, e as ndaj lokaleve tjera që ndodhen në këtë zonë të mbrojtur me ligj.

Lokali “Fellas” gjendet në zonën e parë të Qendrës Historike të Prizrenit, e cila është e mbrojtur me ligj të veçantë për këtë qendër. Para këtij lokalit, në vitin 2015, është ndërtuar një konstruksion metalik dhe është mbuluar sipërfaqja publike.

Pesë muaj më parë, KALLXO.com raportoi se vendosja e këtij konstruksioni metalik është në kundërshtim me ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit.

Lidhur me këtë hulumtim, zyra ligjore e BIRN i’ u pat drejtuar me shkrese zyrtare Prokurorisë së Prizrenit lidhur me këtë hulumtim të bërë.

Drejtori i Inspektoratit në Prizren Shfrytëzon Kundërligjshëm Pronën Publike

Ndërkaq, sipas aktakuzës së prokurorisë  i akuzuari E.B. në cilësinë e personit zyrtar, përkatësisht inspektor i ndërtimit në Komunën e Prizrenit, i caktuar me përgjegjësi në zonën e mbrojtur, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me dashje nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare të përcaktuara me ligj, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për tjetrin, në këtë rast për të akuzuarin Bujar Hasani,  të cilin e ka epror, duke mos ndërmarrë masat e duhura të inspektimit në pajtim me autorizimet e tij, për inicimin e procedurës për largimin e aneks-konstruktit metalik, të vendosur si vazhdimësi e lokalit, e cila gjendet ne zonën e mbrojtur të qytetit.

Me këtë veprim i pandehuri E.B. ka kryer veprën penale: Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokurori i çështjes nga Prokuroria Themelor e Prizrenit, i ka propozuar gjykatës kompetente që të pandehurit t’i shpallë fajtorë për veprat e kryera penale dhe t’i dënojë sipas ligjit.