FOTO; QENDRON KASTRATI, SELAMI REXHEPI

Drejtori i suspenduar Selami Rexhepi paralajmëron ankesë

Drejtori i Gjimnazit “Ismail Qemali” në Kamenicë, Selami Rexhepi, i cili është pezulluar nga puna për tre muaj, nuk po pajtohet me vendimin për suspendimin e tij.

Rexhepi ka thënë për KALLXO.com se ky vendim nuk është i drejtë dhe është duke u përgatitur për ankesë.

“Mendoj që nuk është e drejtë për shkak që unë kam punuar në bazë të rregullave dhe nuk e di se ku kam bërë shkelje”, tha ai.

Ai ka thënë se nuk ka qenë në dijeni për suspendimin e tij, por e ka kuptuar vetëm përmes një vendimi që i është dërguar.

Ndërsa, kryetari i komunës së Kamenicës Qëndron Kastrati ka thënë për KALLXO.com se ndaj drejtorit në fjalë kanë marrë masa parandaluese konform dispozitave ligjore në fuqi.

E gjithë kjo ka ndodhur pas mbajtjes së fazës së parë të testit të maturës në këtë shkollë sepse ishte konstatuar që dy nxënës iu kanë nënshtruar procesit të plotësimit të testit, pa i përmbushur kushtet.

“Dy nxënësit, pasi që nuk kanë arritur të marrin notë kaluese në njërën nga lëndët e shkollës, në komisionin e formuar në po të njëjtën ditë, nxënësit kanë arritur të kalojnë lëndën dhe të nesërmen i janë nënshtruar pjesës së parë të testit të maturës”, tha kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati.

Sipas tij, profesori i lëndës e kishte paraqitur këtë rast në Inspektoratin Rajonal të Arsimit dhe po nga Inspektoriati është konstatuar se është bërë shkelje gjatë themelimit të komisionit vlerësues.

Kastrati tha për KALLXO.com se vendimin për pezullimin e drejtorit të shkollës nga ushtrimi i detyrës, e kanë bërë  në bazë të dispozitave të ligjit dhe që të mos vihet në pikëpyetje mbarëvajtja e testit të maturës në Komunën e Kamenicës.

“Kjo është vetëm një masë preventive për t’u siguruar që pjesa e dytë e testit të mos ketë probleme të tilla. Një vendim i tillë, nuk është masë ndëshkuese dhe nuk presupozon fajësinë ose jo të drejtorit në fjalë. Drejtoria e Arsimit do të formojë komision i cili do të konstatojë faktet dhe të gjeturat nga të cilat do të merret vendimi përfundimtar”, deklaroi i pari i Kamenicës.

Ndër të tjera, ai tha se në periudhën mes dy pjesëve të testit, nxënësit në fjalë kanë arritur ta kalojnë lëndën në komisionin e formuar sipas direktivave të Inspektoratit Rajonal Arsimorë.

“Komisioni i Ministrisë së Arsimit do të thotë fjalën e fundit nëse këta nxënës do t’i nënshtrohen pjesës së dytë të testit”, përfundoi Kastrati.

Pjesa e dytë e testit të maturës për rajonin e Gjilanit është mbajtur të martën – 05.06.2018, ndërsa pjesa e parë ishte mbajtur me 28 maj.

KALLXO.com ka raportuar lidhur me pezullimin e drejtorit të shkollës në Komunën e Kamenicës.

https://kallxo.com/pezullohet-drejtori-i-shkolles-dyshime-per-parregullsi-ne-testin-e-matures/