Drejtori i Shërbimeve Publike në Istog sulmohet për një gyp të kanalizimit

Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Komunën e Istogut, Enver Rugova është sulmuar gjatë ditës së djeshme në detyrë zyrtare.

Policia ka njoftuar sot se rasti ka ndodhur dje rreth orës 16:00, ku i dyshuari në oborrin e Kuvendit Komunal në Istog ka sulmuar zyrtarin komunal.

KALLXO.com ka kontaktuar me Rugovën për arsyen e sulmit. Rugova ka thënë se kjo ka ndodhur për shkak të një kërkese të banorit në fjalë.

“Po, kam pasur një incident, një banor i  fshatit Zhakovë i cili ka kërkuar nga komuna rregullimin e një gypi të kanalizimit. Në vitin e kaluar kemi intervenuar në atë pjesë. I kemi thënë se puna do të kryhet por duhet të pres pasi që gypi që ai kërkon nuk është në kontratë, dhe duhet të shkohet përmes procedurave kontraktuese”, ka treguar Rugova.

Ai ka shtuar se pas takimit banori e ka grushtuar atë në oborrin e komunës.

“E kam raportuar në polici, do të shkoj përmes organeve të drejtësisë”, ka thënë Rugova.

Ndërsa, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi ka thënë për KALLXO.com se Prokuroria Themelore e Pejës, ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin dhe ka marr aktvendim për fillimin e hetimeve.