FOTO: Facebook

Drejtori i medias kërkon përjashtimin e gazetarëve nga gjykimi i Sekiraqës

Me kërkesë të dëshmitarit Faton Shoshi  në gjykimin e Enver Sekiraqës, seanca u mbyll për media, shkruan KALLXO.com

Kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti tha se fillimisht e ka marrë një kërkesë nga dëshmitari Faton Shoshi me datën 14.01.2019 që kjo seancë të jetë e mbyllur për publik dhe media.

Faton Shoshi që është pronar i portalit ‘Indeksonline’ sipas Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës.

“Me anë të një parashtrese drejtuar gjykatës që në cilësi të dëshmitarit të cilën do të dëshmoj në çështje penale ndaj të akuzuarit Enver Sekiraqa kjo seancë të mbyllet për publikun, në të kundërt do të dëmtohej imazhi im ku dihet se jam menaxheri i shumë artistëve dhe do të dëmtojë edhe shumë artistë”

Prokuri Haki Gecaj  tha se edhe në zyrën e prokurorit është pranuar një kërkesë me përmbajtje të njëjtë .

Nga shkresa e lëndës mund të konstatohet se ky deshmitar , Faton Shoshi edhe në gjykimin e më parë e ka pasur një kërkesë të tillë edhe u respektua nga trupi gjykues.

“Une mendoj që edhe në këtë rast plotësohen kushtet që për shkak të mbrojtjes të interesave personale kjo kërkesë e Faton Shoshit është e arsyshme të aprovohet nga trupi gjykues “, tha Gecaj

Avokatja mbrojtëse e Enver Sekiraqës, Kosovare Kelmendi nuk e kundërshtoi mbylljen e seancës por kërkoi që asistenti i saj të rrijë.

Kujtojmë se lënda ndaj Enver Sekiraqës është transferuar te gjyqtarët vendorë pas kthimit në rigjykim nga Gjykata e Apelit në nëntor të vitit 2017 .

Kur Gjykata e Apelit në nëntor të 2017-tës ktheu rastin në rigjykim, mori vendim që edhe ta lirojë Sekiraqën nga paraburgimi. Por ai nuk qëndroi më shumë se 30 orë jashtë grilave, ngase Gjykata e ktheu shpejt në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz të Podujevës.

Enver Sekiraqa është i dënuar nga gjykata e shkallës së parë me 37 vjet burgim për nxitje të vrasjes së policit të Kosovës, Triumf Riza.

Më pas, rastin e trajtoi Gjykata e Apelit me ç‘ rast edhe e ktheu në rigjykim.

Për vrasjen e policit Triumf Riza në gusht të 2007-ës tashmë është i dënuar Arben Berisha.

Ky i fundit është dënuar me 35 vjet burgim.

Sekiraqa ishte vetëdorëzuar në EULEX disa vjet pas vrasjes së Triumf Rizës.

Pas një varg seancash Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim nën akuzën se planifikoi vrasjen e policit Triumf Riza.

https://kallxo.com/caktohet-data-e-seances-ndaj-enver-sekiraqes/