Drejtori i Bujqësisë në Gjilan shpalos punën e tij të këtij viti

Drejtori i Bujqësisë në Komunën e Gjilanit, Ramiz Ramadani, gjatë një konference për media lidhur më të arriturat dhe sfidat e 5-mujorit të punës për vitin 2019, u shpreh së janë në përkrahje të fermerëve.

Sipas një postimi në ‘Facebook’, Ramadani ka përmendur implementimin e programit me mbështetje të Komisionit Evropian, që sipas tyre, 100 studentë apo sapo të diplomuar do të kryejnë praktikë tre mujore me pagesë, do të mbështeten 10 ndërmarrje që zhvillojnë turizmin rural dhe 52 biznese fillestare do të fitojnë grante të vogla në vlerë prej 2,500.00 euro.

Ndërkohë thuhet së përmes bashkëpunimit me shkollën e bujqësisë “Arbëria”, ai tha se kanë mbështetur 5 ferma blegtorale me gjedhe të racës simental, përderisa 572 fermerë janë subvencionuar në mbjellje pranverore.

“Përveç kësaj, është nënshkruar memorandumi i bashkëpunimit me kompaninë Shell Kosova për subvencionimin e naftës për fermerë për 5 cent për litër, sikur që kemi kontratë edhe me Hib Petrolin për përkrahjen e fermerëve në të njëjtën masë. Ky do të jetë një lehtësim i madh për bujqit”, theksoi i pari i bujqësisë në Gjilan, Ramiz Ramadani.

Më tutje bëhet e ditur se ai ka përmendur projektin e serrave të zinkuara, furnizimin e bletarëve me shtëpiza trekatëshe, furnizimin me makina mjelëse etj.

“Projekti i radhës në prag të implementimit është “Furnizim me makina mjelëse“, këtu kemi pasur 95 aplikime dhe përfitues do të jenë 40 fermerë. Do të trajtohen blegtorët që kultivojnë mbi 5 krerë lopë qumështore dhe nuk kanë qenë përfitues asnjëherë. Po ashtu, kemi përfunduar pranimin e aplikacioneve për mekanizim bujqësor, ku interesimi është tepër i madh dhe për 70 mekanizma bujqësor kanë aplikuar 274 fermerë”, ka thënë Ramadani.

Gjithashtu thuhet së në fund të konferencës, drejtori pohoi se edhe këtë vit do të vazhdohet me projektin e rrugëve fushore, ku është përzgjedhur operatori, është nënshkruar kontrata dhe për pak ditë do të nisin punimet.