Driton Gashi, drejtor i AKI-së

Drejtori i AKI-së nuk Raporton në Komision

Drejtori i AKI-së Driton Gashi nuk ishte i pranishëm në Komisionin për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Zëvendëskryetarja e parë e komisionit Ganimete Musliu tha se kanë kërkuar sqarim nga AKI-ja për ngjarjet e fundit, ndërsa nuk kanë marrë përgjigje prej zyrtarëve të saj.

“Është paralajmëruar se do të vijë dikush nga AKI për të na njoftuat për ngjarjet e fundit, ne si komision që nga dita e premte u kemi dërguar 3 ftesa përgjegjësve të AKI, drejorit e zëvendësit që të marrim nevojat e duhuna. As në përpjekjen e trete s’kemi marrë përgjigje”, tha Musliu.

Ajo tregoi se zyrtarë të AKI-së kanë kërkuar që raportimin ta bëjnë pasi të hartojnë një raport për ngjarjet e fundit të kërkuar nga Kryeministri Ramush Haradinaj.

Javën e kaluar gjashtë shtetas turq u arrestuan dhe u deportuan nga Kosova në Turqi dhe krerët e shtetit thanë se nuk ishin njoftuar nga AKI-ja dhe Ministria e Punëve të Brendshme për këto veprime.

Kryeministri Ramush Haradinaj kërkoi pastaj lirimin nga detyra të drejtorit të AKI-së Driton Gashi, por Presidenti Hashim Thaçi la të nënkuptohet se nuk e do këtë lirim nga detyra.

Drejtorin e AKI-së e zgjedhin dhe mund ta largojnë së bashku Kryeministri dhe Presidenti i vendit.