Gjykimi për sulmin ndaj personit zyrtar | Foto: KALLXO.com

Drejtori i Arsimit: I Akuzuari më tha do ta Marr Shpirtin

Drejtori i Arsimit në Komunën e Lipjanit, Rasim Hasani, para trupit gjykues i rrëfeu të gjitha kërcënimet e shantazhet të cilat i kishte marrë nga i akuzuari Naim Gashi.

Rasim Hasani tregoi në gjykatë për kërcënimet me revole e përcjelljet e vazhdueshme nëpër qytet nga i akuzuari Gashi.

Sipas Hasanit, telashet me Gashin kishin filluar qysh nga shkëputja e kontratës së tij në Shkollën “Shtjefën Gjeçovi” me arsyetimin se ka munguar në shkollë.

“E kemi shkresën nga drejtori i shkollës ku thotë se nuk ka shkuar në shkollë me muaj, por edhe kur ka shkuar nuk e ka kryer detyrën e tij”, theksoi Hasani.

Më tutje Hasani theksoi se shkak i këtyre kërcënimeve të vazhdueshme ishte kërkesa e Gashit për vazhdimin e kontratës, ose përndryshe ai e kishte kërcënuar se do ia merrte shpirtin.

“Ka qenë në shtëpi dhe e ka marrë në pyetje djalin tim i cili është 15 vjeç, e më pas edhe babin e ka marrë në pyetje dhe e ka kërcënuar. Ka marrë informata për mua dhe familjen time. Ai po ashtu i ka çu selam gruas sime përmes babait tim, duke i thënë se nëse dëshiron të vazhdojë jetën me mua duhet t’ia vazhdoj kontratën menjëherë”, shtoi Hasani.

Ndërkaq, i akuzuari Gashi në fjalën e tij hyrëse u deklarua i pafajshëm, si dhe avokati mbrojtës i tij Isa Salihi, tha se gjatë zhvillimit të kësaj çështje penale do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit të tij.

Sipas aktakuzës, Gashi më 11 tetor të vitit 2016, gjatë kohës që Hasani ishte duke qëndruar në zyrën e tij, ka hyrë në zyrë dhe e ka mbyllur derën me kyç.

Aktakuza thotë se Gashi ka nxjerrë nga brezi revolen dhe i është drejtuar Hasanit me fjalët “mos lëviz se të vras”.

Mirëpo, i dëmtuari ka arritur që t’ia largojë dorën dhe duke e kapur nga mbrapa e ka larguar nga zyra.

Njëjtë u deklarua edhe i dëmtuari gjatë marrjes në pyetje, ku për më tepër ai shtoi se me të dalë nga zyra përmes forcës, i akuzuari ka arritur ta fusë revolen në pjesën e përparme të belit.

Më pas, pas një konfrontimi në korridor, i akuzuari ka arritur të largohej nga objekti i komunës përmes shkallëve emergjente.

Për këtë prokuroria ia ngarkon Naim Gashit veprën penale sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

I ftuar në cilësinë e dëshmitarit ishte Ismet Jashanica, i cili është dëshmitar okular i ngjarjes së zhvilluar në korridor.

Jashanica tha se as të akuzuarit e as të dëmtuarit nuk i ka parë revole, si dhe kishte ndërhyrë për t’i ndarë.

“Ky person ka pasë zor, e kanë larguar nga puna dhe ia kanë marrë kafshatën e gojës. Drejtori ka ra viktimë e kësaj pune”, deklaroi dëshmitari.

Në fund të seancës, i akuzuari i propozoi trupit gjykues që në cilësinë e dëshmitarit të thirret kryetari i Lipjanit Imri Ahmeti.

E ky propozim u kundërshtua nga trupi gjykues, me arsyetimin se nuk është relevante për çështjen në fjalë.