‘Drejtësia në Kosovë‘ Shpërblehet me Çmim Kundër Korrupsionit
Gazetari i Emisionit “Drejtësia në Kosovë”, Naim Krasniqi, ka fituar çmimin për Gazetari Kundër Korrupsionit për storjen në kategorinë TV.
Çmimi iu nda sonte në një ceremoni të organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Agjencia Kundër Korrupsion (AKK).
Gazetari Naim Krasniqi u shpërblye për storjen “Dreka e Gabuar”, transmetuar në kuadër të emisionit “Drejtësia në Kosovë“.
Në këtë storje tregohet se si prokurori i rastit drekoi me të akuzuarin, në prani edhe të një gjykatësi.
Pas transmetimit të emisionit, prokurori në fjalë ka kërkuar dorëheqjen nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, i cili edhe e ka pranuar.
http://kallxo.com/miratohet-doreheqja-e-prokurorit-qe-drekoi-te-akuzuarin/
Përveç për kategorinë TV, çmime janë ndarë edhe për storjet e publikuara në mediat online, radio dhe shtyp.
Për mediat online është shpërblyer gazetari Vehbi Kajtazi, për “Dosjen e Shefave” të publikuara në portalin “Insajderi”.
Për storjen në medium të shtypur, çmimin e ka marrë gazetarja e “Kohës Ditore”, Saranda Ramaj, ndërsa për radio është shpërblyer “Radio Kosova”.