Zyrtari shtetëror i deklaron bakshishet nga synetia

Një zyrtar shtetëror i Ministrisë së Financave në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit ka deklaruar edhe paratë e synetisë së fëmijëve si të hyra vjetore.

Valdet Shala, me pozitën ushtrues detyre i drejtorit në Administratën Tatimore të Kosovës ka deklaruar 1 mijë e 80 euro para të fëmijëve të tij që thotë se kanë ardhur pas si dhurata pas synetisë dhe lindjes.

Ai ka deklaruar dhurata për fëmijë edhe 1 mijë euro tjera.

Shala ka deklaruar se ka edhe borxh ndaj një personi fizik me vlerë prej 3 mijë e 500 euro, të cilat i ka marrë për blerje të banesës.

Shala pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit e mban që nga marsi i 2017 ka pasuri të paluajtshme në pronësi të përbashkët 461 mijë euro.

Ndërsa para të gatshme në emër të tij, gruas dhe fëmijëve të tij i ka deklaruar mbi 17 mijë euro.

Ai ka deklaruar edhe 3 mijë euro kesh që ia ka dërguar vëllai i tij nga Suedia.

Këtu mund ta gjeni deklarimin e pasurisë së Valdet Shalës.