Zyra e Thaçit pi 240 litra schwepps, 111 litra cocacola e mbi 1 mijë lëngje

Zyra e ish Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi për tre muaj kishte shpenzuar në byfenë e Kuvendit vetëm për pije mbi 1 mijë e 800 euro.

Në faturat e muajve maj e korrik 2011 dhe janar 2012, të cilat i posedon KALLXO.com, Zyra e Kryeministrit kishte porositur 727 pije të llojit schwepps, të cilat i kishin kushtuar buxhetit të shtetit 384 euro e 80 cent. Pijet e porositura nga zyra e Thaçin kanë qenë në kanaqe dhe me sasi prej 330ml e që në total i bie se për 3 muaj zyra e Thaçit ka pirë rreth 240 litra schwepss.

Për këta muaj janë paguar fatura nga kuleta e shtetit edhe për 111 litra coca cola për zyrën e Hashim Thaçit. 337 CocaColat që u porositën nga zyra e Thaçit për 3 muaj i kushtuan shtetit 184 euro.

Aty janë 240 fanta që me vlerë prej 125 euro e 20 cent.

Zyra e Thaçit gjithashtu kishte porositur edhe 1182 lëngje të frutave brenda këtyre 3 muajve. Kostoja e tyre ka kapur shifrën e 709 euro.

Për këta 3 muaj janë porositur edhe 2 mijë e 3 shishe ujë në byfenë e Qeverisë të cilat i kushtuan shtetit të Kosovës 400 euro.

Kallxo.com ka nisur publikimin e faturave të shpenzimeve të Presidentit Hashim Thaçi në kohën kur ai ishte kryeministër i vendit.

Në dosjen prej qindra faturash të siguruara pasi BIRN ka paditur Zyrën e Kryeministrit në gjykatë, do publikohen fatura të shpenzimeve për 20 muaj qeverisje të Hashim Thaçit përfshirë këtu shpenzimet e 5 zëvendëskryeministrave tjerë të asaj kohe: Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Hajredin Kuçi dhe Behgjet Pacolli.

Pjesë e faturave janë edhe shpenzimet e kryera nga këshilltarë e shefa të kabineteve e deri te bodigardët e qeveritarëve të lartë.

Në dosjen “Sa Han Shefi” e cila tashmë është aktive në KALLXO.com, çdo ditë do publikohen fatura të reja të shpenzimeve të shoqëruara me shkrime dhe dëshmi për shpenzimet.