Xhavit Haliti e Gani Dreshaj fshehin aksionet në biznese

Dy deputetët e Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti dhe Gani Dreshaj përveç që janë partnerë koalicioni, ata vazhdojnë të jenë edhe partnerë biznesi.

Kompanitë “Macrometal Kosova” dhe “DBBH – Kosova Clinic Managment JSC” janë dy kompanitë që bashkëpronarë janë deputetët Haliti dhe Dreshaj.

Mirëpo asnjëri nga ta nuk i kanë deklaruar këto kompani në Agjencinë Kundër Korrupsionit, siç obligohen me ligj.

Kompania “Macrometal Kosova” si aktivitet primar e ka tregtinë me shumicë të metaleve dhe mineraleve. Përveç kësaj, në profilin e kësaj kompanie si aktivitet është edhe tregti me shumicë e drurit, materialeve të ndërtimit dhe pajisjeve hidrosanitare.

Në këtë kompani, përveç Xhavit Halitit dhe Gani Dreshajt, bashkëpronar është edhe Alexander Michael Julius.

Kapitali i kësaj kompanie sipas regjistrimeve në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve është 3 mijë euro dhe numëron 5 punëtorë.

Secili nga këta tre, thuhet se posedojnë nga 33% të aksioneve.

Sipas të dhënave në ARBK, kjo kompani ishte regjistruar në verën e vitit 2007.

Ndërsa kompania tjetër “DBBH – Kosova Clinic Managment JSC”, ishte regjistuar në fillim të vitit 2007, dhe kishte 4 bashkëpronarë.

Xhavit Haliti, Gani Dreshaj, Olaf Baas dhe Roland Josef Berlinger. Sipas të dhënave në ARBK, secili nga ta posedonte 25% të aksioneve.

Kapitali i këtij biznesi figuron të jetë 25 mijë euro total dhe numëron 4 punëtorë.

Aktiviteti primar i këtij biznesi sipas të dhënave në ARBK është ndërtimi i objekteve banesore dhe jobanesore. Ndërsa një nga aktivitetet e tjera është edhe tregtia me pakicë e artikujve ortopedikë dhe mjekësor, në dyqane të specializuara.

Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti në një bisedë për KALLXO.com e arsyeton mos-deklarimin e këtyre bizneseve duke thënë se asnjehërë këto biznese nuk kanë pasur veprimatari.

Sipas tij, kishin menduar të merren me disa projekte, por që nuk kishte funksionuar.

Ai thotë se ka provuar ta heq aksionet, por që nuk ka mundur.

“S’jam as pronar as kurrfarë biznesi s’kam. Këto ish aq telashe me i c’regjistru tash, se unë s’kam pasur asnjë lloj aktiviteti. Kur i patëm regjistru ka qenë një projekt me do gjermanë, por s’ka funksionu kurrë, s’kanë mujtë ata me marrë ata projektin. Jam në procedurë me c’regjistru, se isha një ditë këtu në ministri se po u dashke me ia fal dikujt aksionet ose me ia shit dikujt. Tash unë s’kam kujtë të ia shes, por duhet dikujt me ia fal edhe qaq”, tha Haliti për Gazetën Jeta në Kosovë.

Mirëpo i pyetur se pse nuk i ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, meqë bizneset janë ende aktive, Haliti thotë s’ka dashtë t’i deklaroj.

“S’kam dashtë me deklarua, se s’ka kurgjo. Çka ka lidhje që figuron në ARBK, a po të pengon ty ?”, tha Haliti kur u pyet se pse nuk e ka deklaruar tash e disa vite.

“Nuk e di a është aktiv. Unë kam bërë kërkesë me heq emrin tim prej atij biznesi. Por nuk ka kurrfarë bviznesi aty, s’ka pasur lëvizje. Ai s’ka funksionu asnjë ditë. Në kushte normale, në krejt botën, kur biznesi nuk funksion dhe nukl paguan tatime, ai shlyhet vet, e shlyen sistemi”, tha tutje ai.

Haliti pretendon se brenda javës së ardhshme do të gjej një zgjidhje për të larguar emrin e tij nga kjo kompani.

Që nga 2012 deri në 2016, Xhavit Haliti i kishte deklaruar aksionet në këto kompani, mirëpo nuk e kishte vazhduar në vitet pasuese.

Në deklarimin e pasurisë për vitin 2010 dhe 2011, Haliti kishte deklaruar vetëm kompaninë “DBBH – Kosova Clinic Managment JSC” dhe jo kompaninë tjetër.

Dy kompanitë ai kishte filluar t’i deklaronte që nga viti 2012 deri më 2016.

Gazeta Jeta në Kosovë ka provuar të kontaktoj edhe me deputetin Gani Dreshaj, por nuk ka qenë i qasshëm në numrat e telefonit që redaksia i posedon.

Një deklaratë e nënkryetarit të Kuvendit, Xhavit Haliti kishte bërë bujë të madhe në Kosovë kur kishte deklaruar se KTV se në Kosovë “Krejt i kanë ka 2-3 milionë”.

Në deklarimin e pasurisë për këtë vit, Xhavit Haliti nuk i posedon 2-3 milionë euro.

https://kallxo.com/dosja/xhavit-haliliti-nuk-i-ka-2-3-milione/?

Në anën tjetër, deputeti i AAK-së, Gani Dreshaj ka një pasuri super milionëshe.

Pasuria e tij është më e madhe se buxheti I Komunës së Istogut, ku ai provoi të zgjedhet kryetar në zgjedhjet e fundit komunale.

https://kallxo.com/dosja/pasuria-e-gani-dreshaj-disa-here-me-e-madhe-se-buxheti-i-istogut/?