Verërat Australiane të Ramush Haradinajt kushtuan mbi 500 euro

Si sot, dy vite më parë, një drekë e zyrës së kryeministrit, Ramush Haradinaj, buxhetit të shtetit i kishte kushtuar plotë 1 mijë e 252 euro e 20 cent.

Dreka, për të cilën nuk janë dhënë detaje, ishte shtruar në njërin prej restauranteve të njohura të Prishtinës, “Tiffany”.

Në faturën të cilën e ka siguruar KALLXO.com, në këtë drekë zyra e ekzekutivit kosovar kishte pirë shumë alkool.

Birra të Pejës, raki e kumbullës e verë e shtrenjtë Australiane “Cabernet reserv” ishin konsumuar në drekën e 20 nëntorit të vitit 2017.

Fatura të cilën e ka pranuar Shefi i kabineti të Kryeministrit Haradinaj, Gani Demaj, është paguar më 17 janar të 2018-tës.

Siç janë përshkruar në faturën e kësaj dreke, 23 vera Austrialiane “S.c. Cabernet Reserv-6” kushtuan 575 euro, që i bie se një e tillë kushtonte 25 euro.

Në këtë drekë ishin konsumuar edhe pija të tjera alkoolike.

13 Birra të Pejës në krikëll nga 1 euro e 60 cent kushtuan 20 euro e 80 cent.

10 rakia kumbulle në drekën e 20 nëntorit të vitit 2017 kushtuan 21 euro.

Përveç alkoolit, në këtë drekë nuk kishte munguar mishi. 10 Elbasan Tave me mish vici kushtuan 70 euro. Sarma, porcion i madh 8 copë kushtuan 56 euro.

17 shisha kombinim kushtuan 119 euro ndërsa u shtruan edhe 20 sallata mix që kushtuan 50 euro.

KALLXO.com përmes kërkesës për qasje në dokumente publike ka marrë faturat e shpenzimeve të drekave dhe darkave zyrtare të Kryeministrit dhe zëvendëskryeministrave.

KALLXO.com raporton në vazhdimësi mbi shpenzimin e parasë publike nga zyrtarët e lartë publik.

Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht Zyra e Kryeministrit, sot ka reaguar ndaj publikimeve të faturave në media.

Zyra e Kryeministrit ka apeluar te mediat që i publikojnë këto fatura, të mos ja etiketojnë shpenzimet kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, por të gjithë stafit të Qeverisë.

“Është e papranueshme që të manipulohet opinioni publik duke tentuar që kategorizimit “Dreka” t’i epët konotacion individual si shpenzim nga Kryeministri Haradinaj, përderisa në këtë kategori siç e cekëm më lartë, përfshihen njëkohësisht edhe të gjitha shpenzimet zyrtare të stafit, shpenzimet protokollare, ceremoniale për mysafirë dhe delegacione nga vendi dhe të huaja në emër të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e Zyrës së Kryeministrit.

Po ashtu në reagim thuhet që të merret parasysh “dinamika e lartë e aktiviteteve shtetërore, të Institucionit të Kryeministrit dhe Kryeministrit Haradinaj në veçanti”.

Shishet e shampanjës për zyrën e Ramush Haradinajt kushtuan nga 50 euro

www.kallxo.com