Foto: Valdrin Lluka/Facebook

Valdrin Lluka ia fal aksionet e kompanisë ortakut të tij

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka për shkak të kohës së limituar ka vendosur që të ia fal ortakut të tij të biznesit, aksionet në kompani.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka në Agjencinë Kundër Korrupsionit ka deklaruar se është pronar e bashkëpronar në 3 kompani.

Mirëpo, sipas tij, asnjë nga to nuk është aktive, ndonëse nuk janë mbyllur në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës.

Lluka për Gazetën Jeta në Kosovë thotë se ato nuk po i mbyllë sepse pret që në të ardhmen të merret me biznes.

“Jo, nuk dua me i mbyllë. Në të ardhmen, prapë mendoj me zhvillu ndonjë ide, sidomos me kompaninë smartfarms. S’ka arsye me i mbyllë sepse s’kanë kosto”, tha Lluka për Gazetën Jeta në Kosovë.

Kompania “Smart Farms LLC” është 100% në pronësi të ministrit Lluka. Kjo kompani është themeluar pak javë para se Valdrin Lluka të niste punën si ministër i Qeverisë së Kosovës. Kapitali i kësaj kompanie, sipas deklarimit të Llukës është 10 mijë euro.

Kompania “Big Bang” gjithashtu është themeluar pak javë para se Lluka të emërohej ministër. Në këtë kompani Lluka posedon 25% të aksioneve. Mirëpo, kapitalin e kësaj kompanie ai e ka vlerësuar 0 euro.

Kompania tjetër “BI Valoni”, ku Lluka posedon 100% të aksioneve është themeluar në vitin 2000. Kapitali i kësaj kompanie sipas Llukës është zero euro.

Këtë vit, Lluka nuk e ka deklaruar edhe një biznes tjetër, të cilin e kishte deklaruar vitet paraprake.

Në deklarimet e vitit 2017 dhe 2018, Lluka numëronte 4 kompani.

Në 2017 dhe 2018 Lluka kishte deklaruar edhe 50% aksione në kompaninë “Dardanica Group”.

I kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, Lluka thotë se nuk i ka shitur aksionet, por i ka falur, andaj nuk i ka deklaruar të hyrat e mundshme nga shitja.

“Kompania Dardanica Group nuk është aktive dhe për të mos pasur probleme për raportimet e rregullta për shkak të mungesës së kohës, kam vendosur t’i transferoj tek ish partneri në këtë kompani pa ndonjë kompensim, pasi që kompania nuk është funksionale dhe si rezultat nuk ka asnjë vlerë”, ka thën Lluka për Gazetën Jeta në Kosovë.

Lluka thotë se ATK e ka ftuar në vazhdimësi për të raportuar për vonesat. Sipas tij, edhe pse kompania s’ka pasur aktivitet, atij i duhej të raportonte për vlerat që thotë se kanë qenë “zero”.

“Meqenëse nuk kisha kohë me u marrë me ato gjëra, jemi pajtu që t’i transferoj aksionet tek njëri nga pronarët që të mos kem punë më me këtë kompani”, tha tutje Lluka.

“Kompania Smart Farms kurrë s’ka pasur aktivitet. Kam pas plan që të zhvilloj një ide para 3 viteve, por nuk kam arritur për shkak të angazhimit në Qeveri. Kompania “BI Valoni” që nga viti 200 nuk është aktive, pasi që është kompania e para luftës. Kurse kompania “Big Bang” është aktive pak më shumë, por nuk jam i sigurtë. Nuk merrem me të sepse jam 25% aksionar”, tha Lluka tutje për Gazetën Jeta në Kosovë.

Mirëpo, Lluka nuk ka të deklaruar të hyra nga kompania “Big Bang” që thotë se “aktive pak më shumë”.

“Jo, nuk kam të hyra. Nëse do të kisha, do i kisha deklaru”, tha tutje ai.

Ndonëse ia ka falur ish ortakut të tij 50% të aksioneve, Lluka i ka borxh kompanisë. Ai ka deklaruar se ka borxh 4 mijë euro ndaj kompanisë “Dardanica Group”, që thotë se i ka huazuar paratë në të kaluarën.

Ministri Lluka ka të deklaruar edhe borxhe. 3 borxhe i ka deklaruar se i ka ndaj personave fizik, ndërsa njëri nga borxhet është kredi.

Ministri Lluka ka deklaruar se 45 mijë euro borxh ndaj personave fizik dhe 7 mijë euro në kredi.

Paga e Llukës si ministër kap shirën e 21 mijë e 500 euro në vit. Ai ka deklaruar edhe 1 mijë e 565 euro mëditje dhe 6 mijë e 775 euro të ardhura nga udhëtimet.

Bashkëshortja e Llukës merr pagë vjetore 11 mijë e 474 euro.

Ministri Lluka ka deklaruar se posedon 2 mijë euro para të gatshme në një nga bankat e Kosovës.

Këtu mund ta gjeni deklarimin e pasurisë nga ministri Valdrin Lluka.