Foto: Uran Ismaili/Facebook

Uran Ismaili me kredi deri “n’fyt”

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, në deklarimin e pasurisë së tij në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), ka deklaruar se ka hyrë në kredi prej 94 mijë eurove për banesë, në afat prej 9 muajve për ta larë atë.

Ismaili gjithashtu ka marrë edhe një kredi tjetër prej 6 mijë eurove, në kohëzgjatje prej 12 muajve.

Ai si ministër merr pagë mujore 2 mijë euro, si asambleist në Kuvendin Komunal të Prishtinës merr 195 euro dhe nga ministria e Shëndetësisë rreth 2 mijë e 500 euro mëditje.

Uran Ismaili ka në pronësi të përbashkët një banesë prej 151 metra katror e që kap shifrën e 135 mijë eurove dhe një tokë prej 3 ari me vlerë 20 mijë euro, që e ka deklaruar në pronësi të bashkëshortes.

Ismaili përveç politikan, është edhe biznismen. Ai ka 33% të aksioneve në kafiteritë “Bon Vivant”, “Matisse”, “Amel” dhe “Martius”, kurse 33% të aksioneve ka edhe në kompaninë “Printques”.

Ai ka deklaruar se ka para të gatshme në një bankë në Kosovë rreth 3 mijë e 100 euro, ndërsa bashkëshortja e tij vetëm 330 euro.

Uran Ismaili udhëheq ministrinë e Shëndetësisë që nga 10 shtatori i vitit 2017, asambleist në komunën e Prishtinës që nga 1 dhjetori 2017, kurse  është edhe nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës që nga 15 korriku i vitit 2016.

https://akk-ks.org/assets/cms/uploads/files/Deklarimi%20i%20Pasurise/Deklarimet/declaration/2019/Komunat/Komuna%20e%20Prishtine%CC%88s/Uran%20Ismaili.pdf