Behgjet Pacolli

Udhëtimet e Behgjet Pacollit me aeroplan të paguar nga shteti

Ish zëvendës Kryeministri Behgjet Pacolli në vitin 2011 kishe udhëtuar në Vjenë e Berlin për takime zyrtare dhe për këto udhëtime ai kishte paguar biletë aeroplani nga buxheti i shtetit të Kosovës.

Në faturat e siguruara nga KALLXO.com, figuron se Pacolli ka paguar biletë të aeroplanit me vlerë prej 1 mijë e 792 euro e 35 cent me 14 qershor 2011 për udhëtimin nga Prishtinë-Vienë-Berlin-Vienë-Prishtinë.

Gjithashtu edhe me 10 nëntor 2011 ka udhëtuar nga Prishtina në Vienë dhe ka paguar biletën në total 660 euro.

Pacolli ka reaguar në shkrimet që KALLXO.com i ka publikuar për shpenzimet e tij që janë paguar nga kuleta e shtetit.

Ai kishte kërkuar nga Prokuroria që të bëjë hetime, pasi që thotë se ai ka paguar nga xhepi i tij për shpenzimet që i kanë pasur gjatë asaj kohe.

“Po lexoj prap për disa “shpënzime” që gjoja unë paskam bërë gjatë mandatit të kaluar qeverisës (2011-2014). E vërteta është se unë gjatë asaj periudhë nuk i kam kushtuar asnjë cent shtetit të Kosovës”, kishte shkruar Pacolli për shkrimet e publikuara në KALLXO.com

“Une nuk kam marrë as rrogë; as mëditje dhe shpenzimet e hoteleve dhe shumicën e madhe të biletave të udhetimeve zyrtare i kam paguar poashtu nga xhepi; nuk kam pasur makine zyrtare dhe nuk kam konsumuar as një liter benzinë, për tërë kohën sa isha në qeveri”, ka shkruar Pacolli në një reagim tjetër.

Ndërsa këshilltari i Pacollit, Jetlir Zyberaj i pyetur saktësisht për këto dy udhëtime tha për KALLXO.com se gjatë kësaj periudhe ka pasur raste kur Pacolli s’ka udhëtuar me mjetin e tij transportues, pra aeroplanin e tij privat, andaj biletat janë paguar nga Qeveria e Kosovës.

“Gjatë asaj periudhe ka pasur momente kur z.Pacolli nuk ka udhëtuar me mjetin e tij transportues dhe në pak raste ka ndodhur që ndonjëherë ti paguhet bileta e aeroplanit nga qeveria e Kosovës, konform rregullave dhe ligjeve ne fuqi”, tha Zyberaj për KALLXO.com

Kallxo.com ka nisur publikimin e faturave të shpenzimeve të Presidentit Hashim Thaçi në kohën kur ai ishte kryeministër i vendit.

Në dosjen prej qindra faturash të siguruar pasi BIRN ka paditur Zyrën e Kryeministrit në gjykatë, do publikohen fatura të shpenzimeve për 20 muaj qeverisje të Hashim Thaçit përfshirë këtu shpenzimet e 5 zëvendëskryeministrave tjerë të asaj kohe: Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Hajredin Kuçi dhe Behgjet Pacolli.

Pjesë e faturave janë edhe shpenzimet e kryera nga këshilltarë e shefa të kabineteve e deri te bodigardët e qeveritarëve të lartë.

Në dosjen “Sa han Shefi” e cila tashmë është aktive në KALLXO.com, çdo ditë do publikohen fatura të reja të shpenzimeve të shoqëruara me shkrime dhe dëshmi për shpenzimet.

https://kallxo.com/dosja/behgjet-pacolli-flen-ne-hotelet-e-shtrenjta-hilton-e-raphael-me-para-te-buxhetit/

https://kallxo.com/dosja/behgjet-pacolli-i-dashuruar-ne-schweppes-per-1-muaj-porosit-qindra-te-tille/