Presidenti Hashim Thaçi: Foto- Facebook

Thaçi nuk arrin të gjejë hotel të lirë në Itali përfundon në hotel të shtrenjtë

Ekipi i ish-kryeministrit Hashim Thaçi kishte tejkaluar shpenzimet e hotelit gjatë një vizite zyrtare në Itali për rreth 840 euro.

Kërkesa e zyrës së Kryeministrit drejtuar sekretarit të përgjithshëm kishte qenë fillimisht 3 mijë e 100 euro.

Mirëpo kjo shumë ishte tejkaluar për 839 euro e 50 cent.

Arsye e tejkalimit të shpenzimeve sipas ZKM-së është mungesa e gjetjes së hoteleve me çmime të cilat kishin figuruar në listën tarifore.

“Gjatë realizimit të vizitave të delegacionit të Kryeministrit në Italit të datave nga 23.06.2012-24.06.2012 është bërë tejkalimi i Hotelit, andaj luteni të bëhet aprovimi i shpenzimeve. Arsyeja e tejkalimit është mungesa e gjetjes së hoteleve me çmime të cilat figurojnë në listën tonë tarifore”, thuhet në letrën e Abelard Tahirit dërguar sekretarisë së Qeverisë.

Pra, për vetëm një natë qëndrim në hotel në Itali, Hashim Thaçi së bashku me kabinetin e tij kishin shpenzuar 3 mijë e 939 euro.

Kallxo.com ka nisur publikimin e faturave të shpenzimeve të Presidentit Hashim Thaçi në kohën kur ai ishte kryeministër i vendit.

Në dosjen prej qindra faturash të siguruar pasi BIRN ka paditur Zyrën e Kryeministrit në gjykatë, do publikohen fatura të shpenzimeve për 20 muaj qeverisje të Hashim Thaçit përfshirë këtu shpenzimet e 5 zëvendëskryeministrave tjerë të asaj kohe: Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Hajredin Kuçi dhe Behgjet Pacolli.

Pjesë e faturave janë edhe shpenzimet e kryera nga këshilltarë e shefa të kabineteve e deri te bodigardët e qeveritarëve të lartë.

Në dosjen “Sa han Shefi” e cila tashmë është aktive në KALLXO.com, çdo ditë do publikohen fatura të reja të shpenzimeve të shoqëruara me shkrime dhe dëshmi për shpenzimet.