Super pagat e anëtarëve të Bordit të Trustit

Deklarimet në Agjencinë Kundër Korrupsion për pasurinë të cilën e posedojnë e kanë bërë edhe anëtarët e Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Në bazë të këtyre deklarimeve shihet se të hyrat vjetore të anëtarëve të Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës nga pagat dhe mëditjet që marrin janë mjaftë të mëdha.

Kryesuesi i Bordit të Trustit, Ruzhdi Morina, në deklarimin e pasurisë së tij tek të hyrat vjetore ka deklaruar kompensimin vjetor dhe mëditjet që i merr nga FKPK, të cilat arrijnë në 17 mijë e 736 euro, si dhe pagën vjetore  që merr si Këshilltar Ligjor në Infrakos, e cila është 8 mijë e 390 euro.

Ndërsa anëtari i Bordit të FKPK-së, Driton Qehaja, ka deklaruar se të hyrat vjetore nga paga në këtë fond arrijnë deri në 15 mijë euro.

Në bazë të deklarimeve për pagën vjetore, Qehaja merr pagë mujore nga FKPK 1 mijë e 250 euro.

Qehaja ka deklaruar se ka të hyra vjetore prej  14 mijë e 663 euro edhe nga paga të cilën e merr në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë, si dhe 24 mijë euro të tjera kompensime për punë nga UNDP.

Në total, të hyrat vjetore të Qehajës arrijnë vlerën 53 mijë e 663 euro.

Hiq më pak nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovë nuk merr as anëtari tjetër i Bordit Behxhet Haliti, i cili ka deklaruar se të hyrat vjetore nga paga e tij janë 16 mijë e 65 euro.

Në bazë të këtyre të hyrave nga FKPK, paga vjetore e Halitit është rreth 1 mijë e 338 euro.

Haliti në AKK ka deklaruar se merr pagë mujore edhe nga Ministria e Financave, ku të hyrat nga aty arrijnë deri në 7 mijë e 432 euro.

Nga pagat dhe mëditjet e deklaruara nga anëtari i Bordit, Hajdar Korbi, të hyrat vjetore të tij nga FKPK janë 15 mijë e 879 euro.

Korbi, përveç pagës dhe mëditjeve në FKPK, ka deklaruar të hyrja vjetore prej 1 mijë e 670 euro nga paga në RIT KOSOVO, 4 mijë e 233 euro nga qiraja e shtëpisë, 14 mijë e 196 euro PF & P Associates dhe 37 mijë e 21 euro nga paga në Chemonics.

Në total, të hyrat vjetore të anëtarit të Bordit Hajdar Korbi arrijnë deri në 72 mijë e 999 euro, duke mos përfshirë të hyrat vjetore nga bashkëshortja e tij, të cilat janë 4 mijë e 200 euro.

Ndërsa, anëtari tjetër i Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, Valdrin Kasumaj në deklarimin e tij në Agjencinë Kundër Korrupsion, tek të hyrat vjetore ka deklaruar 15 mijë e 551 euro kompensime vjetore nga FKPK.

Kasumaj ka deklaruar të hyrja vjetore edhe 12 mijë e 361 euro të tjera, ku 10 mijë e 525 janë nga paga e tij në Infrakos ndërsa 1 mijë e 836 euro nga paga dhe mëditjet në “Eurplab”.

Për dallim nga anëtarët e tjerë të Bordit, anëtari Ymer Ymeri, në të hyrat vjetore nga FKPK ka deklaruar vetëm 97 euro.

Përveç këtyre të hyrave, Ymeri ka deklaruar edhe të hyra vjetore prej 1262 euro, prej të cilave 972 janë nga paga në SBASHK, dhe 290 nga MPMS.