Skandalet në shpenzime ku buxheti i komunave shkoi për "Marlboro", "Orbita" e "Red Bull"

Përveç alkoolit, disa komuna të Kosovës, buxhetin e tyre e kanë shfrytëzuar për të blerë edhe gjëra të tjera.

Cigare, orbita, red bull-a, pop-kek, proshutë, kaçkavall, kikirik e çipsa, ishin disa nga produktet të cilat komunarët i blenë nga buxheti i komunës.

KALLXO.com në kuadër të dosjes Sa Han Kryetari, ka analizuar mbi 1 mijë fatura të 22 komunave të Kosovës. Në këto fatura janë vërejtur shpenzime të pazakonta të buxhetit të komunave.

Ferizaj, Istogu, Gjakova, Juniku, Obiliqi si dhe Mitrovica, janë disa nga komunat që buxhetin e tyre e kanë shpenzuar në ushqimet e lartcekura.

KALLXO.com ka raportuar se dy nga këto komuna, Gjakova dhe Istogu poashtu kishin porositur produkte me origjinë serbe në Agjencinë Qëndrore të Prokurimit.

Ferizaj

Komuna e Ferizajt ishte përkujdesur që buxhetin e komunës ta shpenzonte në alkool vetëm në rastet kur kishte mysafir, në tri darka të ndryshme komunarët e Ferizajt kanë shpenzuar 362 euro në alkool.

Mirëpo në darkën e shtruar për kryeparlamentarin Kadri Veseli, komuna e Ferizajt, në faturën e ushqimit kishte futur edhe një pako cigare të llojit ‘Malboro’.

Edhe paraardhësi i Agim Aliut, Muharrem Sfarqa i LDK-së, kishte pasur të njëjtën shprehi, që me buxhetin e komunës të i blejë edhe cigaret.

Në një takim të Kuvendit komunal me banorët e fshatit Nerodime, zyrtarët e Komunës së Ferizajt kanë shpenzuar mbi 80 euro. në këtë shumë përveç rakisë e mishit, me buxhetin e komunës ishin paguar edhe dy paqeta cigare të llojit ‘Malboro’.

Istogu

Komuna e Istogut ka shpenzuar para të buxhetit të saj në çipsa, kikirikë e proshutë për t’i përcjellë punëtorët e kësaj komune që kishin dal në pension.

Në korrik të vitit të kaluar, Komuna e Istogut kishte dërguar në pension 3 punëtorë të saj, për të cilët ishte përkujdesur të organizoj një koktej duke shpenzuar 243 euro.

4 kilogramë kikirikë ishin ngrënë në këtë koktej apo në total 22 euro për kikirikë. Ndërsa 22 euro e gjysmë ishin shpenzuar për çipsa. Përveç kikirikëve dhe çipsave në këtë koktej ishin shpenzuar 53 euro për proshutë dhe 38 euro për kaçkavall.

Ndërsa në mars të 2018 për pensionimin e një punëtori tjetër ishin shpenzuar 201 euro. Ndryshe nga hera e kaluar, në këtë koktej pensionimi ishin ngrënë vetëm 1 kilogram kikirik dhe ishin shpenzuar vetëm 7 euro e gjysmë për çipsa. 42 euro gjysmë ishin shpenzuar për proshutë ndërsa 20 euro për kaçkavall.

Ndërsa në koktejin tjetër për pensionimin e një zyrtari tjetër, komuna kishte shpenzuar vetëm 81 euro.

13.5 euro për çipsa, 12 euro për kaçkavalle, 38 euro e 25 cent për proshutë dhe 26 e 25 cent për lëngje.

KALLXO.com poashtu ka raportuar se në tenderin e Autoritetit Qendror të Prokurimit 23.5 milionësh, edhe Komuna e Istogut kishte porositur produkte me origjinë serbe.

Istogu në këtë kërkesë kishte kërkuar për furnizim me 500 copa keksa “Plazma”, 300 kilogramë “Eurokrem” dhe 9200 copë “Smoki”.

Përveç këtyre produkteve serbe kjo komunë ka porositur edhe disa artikuj tjerë ushqimor me sasi të mëdha si dhe me firmë të specifikuar. Komuna ka kërkuar edhe 2400 copa Pashteta pule “Argeta” ose ekuivalentë, 1220 kg plesakvica, 10.000 lëngje, 800 kg keksa “Petit Beurre”, 300 pako krem banane dhe të tjera.

Po ashtu kjo komunë ka porositur edhe 7200 copë “Pop Kek” e 800 kilogramë keksa “Petit Beurre”.

Istogu madje nuk e ka lënë anash as porosinë për mish, kështu duke kërkuar nga AQP për furnizim me 1200 kilogramë pleskavica dhe 130 copë peshk të konservuar “Tuna” apo ekuivalente.

Edhe 300 pako krem banane e 97 kilogramë vegetë ishin të përfshira në kërkesën e Istogut për AQP-në.

Gjakova

Ndonëse rezultatet e testit PISA për vitin 2018-të ende nuk janë publikuar, në shkollën SH.F.M.U. Zekerija Rexha të Komunës së Gjakovës është paguar fatura e ushqimit.

Në faturat e analizuara nga KALLXO.com, shihet se nga data 14 prill deri në datën 23 prill, punëtorët e kësaj shkolle janë përkujdesur që të konsumojnë një sasi të madhe të produkteve ushqimore dhe pijeve të cilat buxhetit të komunës i kanë kushtuar hiq më pak se 262 euro.

Tosti kryeson listën e ushqimeve të preferuar me gjithsej 109 sosh të cilat buxhetit të komunës i kanë kushtuar 54.50euro, më pak se tostin ata kanë preferuar picën 36 sosh të cilat kanë kushtuar 54 euro, ndërsa më së paku kanë preferuar sendviqin ku kanë ngrënë 12 në vlerë prej 18 eurove 18euro.

Përveç tostave, sendviqave dhe picave, si desert këta punëtorë kanë konsumuar popokekun me gjithsej 82 sosh të cilat kanë kushtuat 24.60euro.

Ndërsa drekën e kanë përfunduar me kafe ku kanë konsumuar 30 sosh që kanë kushtuar 15euro, ose edhe pije të cilat janë të shkruara si ‘kanaqe’ janë konsumuar 46 sosh, ndërsa më së shumti është konsumuar uji me 245 shishe të cilat kanë kushtuar 73.50 euro.

Gjithashtu KALLXO.com ka shkruar edhe për tenderin prej 23.5 milion euro nga Agjencia Qendrore e Prokurimit për t’i furnizuar disa institucione të Kosovës me artikuj ushqimor.

E ndër komunat të cilat kanë kërkuar furnizim me artikuj të ndryshëm ushqimor është Komuna e Gjakovës e cila në kërkesat e saj ka të përfshira produkte me origjinë serb për të cilat qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Haradinaj, në nëntor të vitit të kaluar kishte vendosur taksë 100 për qind.

Komuna e Gjakovës e cila udhëhiqet nga Ardian Gjini, ka kërkuar 440 copa “Plazma” apo ekuivalente, nga 150 gramë, 1200 kg “Eurocrem” ose ekuivalente.

Përveç këtyre dy produkteve serbe kjo komunë ka porositur edhe disa artikuj tjerë ushqimor me sasi të mëdha si dhe me firmë të specifikuar.

Komuna ka kërkuar 2 mijë e 500 copa Pashteta pule “Argeta” ose ekuivalentë, 2 mijë e 500 kg makarona “Divella” ose ekuivalente, “Vegetë” ose ekuivalent 300 kg, 36 mijë copa veze klasa ‘S’, 10 mijë “Pop Kek ose ekuivalent, 11 mijë e 500 bukë të 500 gramëve dhe 25 mijë bukë të bardha me rriska të 500 gramëve.

Për këtë porosi, Komuna e Gjakovës ishte arsyetuar se Agjencia Qendrore e Prokurimit Publik e ka vendosur mallin e përcaktuar ndërsa autoriteti e ka vendosur vetëm sasinë që iu është nevojitur.

Juniku

Komuna e Junikut ka shpenzuar 90 euro për t’i akomoduar në “odë” 6 çiklistë të Shqipërisë.

Në faturat e siguruara nga KALLXO.com, Komuna e Junikut nga buxheti i saj kishte paguar për akomodimin e 6 çiklistëve nga Shqipëria të cilët kishin qenë pjesëmarrës të garës tradicionale me biçikleta, “Doënhill Gjeravica”.

Nata për një person në hotelin “Oda e Junikut”, bashkë me mëngjesin kishte kushtuar 15 euro, ndërsa për 6 persona totali kishte kushtuar 90 euro.

Mirëpo njëri nga mysafirët e Shqipërisë ishte përkujdesur që të merr energji përmes pijes energjike, Rebull. Kjo pije që kishte kushtuar 2 euro e gjysmë ishte paguar nga Komuna e Junikut.

Ndërsa të tjerët kishin pirë ujë, cocacola, sprite e lëng portokalli.

Obiliqi

Zyrtarët e Komunës së Obiliqit kanë shfrytëzuar buxhetin e Komunës për të blerë çamçakëz “Orbit”.

Në faturën me vlerë prej 61 euro, të cilën e ka siguruar KALLXO.com,  figuron edhe blerja e 3 çamçakëzëve më të shtrenjtë “Orbit”. Aty ishin blerë 3 “Orbit” me vlerë totale 2 euro e 97 centë.

Në arsyetimin e pagesës thuhet se këto shpenzime janë bërë gjatë një kokteji të Kuvendit Komunal për 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Mitrovica

Në faturat e drekave dhe darkave zyrtare, KALLXO.com ka analizuar faturat e shpenzimeve ku kemi numëruar peshqit që zyrtarët e kësaj komune i ka ngrënë.

Janë 194 peshq, shumica prej tyre e llojit të troftës, e në disa raste të emëruar vetëm si peshqi që janë ngrënë nga komunarët e Mitrovicës.

Mund të ketë edhe më shumë të tillë të ngrënë, mirëpo në disa prej faturave të cilat KALLXO.com i ka marrë nga Komuna e Mitrovicës përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, nuk shihen për shkak të skenimit të dobët.

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Përmbajtja është përgjegjësi e BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i KFOS-it.