Shpend Ahmeti: Publikimi i faturave i uli shpenzimet për dreka e darka

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka deklaruar se si komunë kanë marrë vendim që të bëjnë publike të gjitha vendimet, duke përfshirë faturat për të gjitha shpenzimet që bëhen për dreka.

Ai ka thënë se kjo ka ndikuar që drejtorët e kësaj komune të ulin kërkesat për darka e dreka zyrtare.

“E para që kemi marrë vendim që në fillim është që të publikojmë çdo gjë dhe ky është vendim, i cili fillimisht duhet të merret me sinqeritet. Kjo do të thotë se i publikojnë edhe gabimet, por edhe vendimet e OShP-së, por edhe vendimet e MAPL-së. Drejtorët nuk vijnë të kërkojnë më dreka zyrtare pasi që e dinë pasi që do i publikohet ajo faturë”, është deklaruar Ahmeti.

KALLXO.com muajve të fundit ka publikuar 76 artikuj për shpenzimet e kryetarëve të komunave dhe zyrtarëve tjerë të Komunave në dreka dhe darka zyrtare.

Nga 38 komuna sa janë në Kosovë, vetëm 25 prej tyre u janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së KALLXO.com për qasje në faturat e drekave dhe darkave.

13 komuna tjera kanë vendosur t’i mbajnë të fshehura shpenzimet në dreka dhe darka.

Komunat që u janë përgjigjur pozitivisht kërkesës dhe kanë vendosur t’i tregojnë opinionit se në çfarë ushqimesh shpenzojnë kryetarët e komunave dhe vartësit e tyre, janë: Drenasi, Prizreni, Prishtina, Ferizaj, Kaçaniku, Peja, Mitrovica, Suhareka, Obiliqi, Rahoveci, Vitia, Vushtrria, Mamusha, Juniku, Hani i Elezit, Shtimja, Fushë Kosova, Gjakova, Malisheva, Klina, Kamenica, Istogu, Dragashi, Lipjani dhe Gjilani.

Komuna e Prishtinës faturat i ka pas të publikuara në ueb-faqe. Edhe shpenzimet e bëra nga kjo komuna dhe që kanë të publikuara faturat janë publikuar në KALLXO.

Këtu mund t’i gjeni artikujt për shpenzimet e komunave në dreka dhe darka zyrtare.

https://kallxo.com/dosja/