Sa shpenzuan Komunat për materiale mbrojtëse kundër COVID-19?

Përveç tenderëve për dezinfektim të hapësirave publike, si masë kundër virusit COVID-19, disa komuna të vendit hapën tendere edhe për paisje mbrojtëse.

Gjithsej 6 komuna nënshkruan disa kontrata në vlerë mijëra euro, për t`u pajisur me maska mbrojtëse, doreza e dezinfektues.

KALLXO.com ka shikuar kontratat që Komunat i kanë nënshkruar me operatorë ekonomik, për paisje mbrojtëse. Të gjitha kontratat i kanë nënshkruar me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës.

Kjo procedurë përdoret në rastet emergjente dhe institucioni publik nuk hap fare tender, por i kontrakton operatorët ekonomik pa konkurrencë për të ofruar shërbime.

Komuna e Prishtinës i ka nënshkruar tri kontrata të tilla, në vlerë totale prej 29 mijë e 390 eurove.

Kontrata e parë është nënshkruar me 16 mars, me titull ‘furnizimi me materiale mbrojtëse personale-emergjente, në vlerë prej 19 mijë e 400 eurove. Fitues i kësaj kontrate është operatori ekonomik ‘Made-Kos’.

Kontrata e dytë dhe e tretë me titull ‘furnizimi me paisje mbrojtëse- mjekësore’ janë nënshkruar me 23 mars, të dyja.

E para është në vlerë prej 7 mijë e 190 euro dhe fitues i kontratës është ‘Team8’, ndërsa e dyta është në vlerë 2 mijë e 800 euro dhe fitues është operatori ekonomik ‘Union Co’.

Komuna e Prizrenit i ka shpenzuar plotë 102 mijë euro për pajise mbrojtëse.

Një kontratë e tillë është nënshkruar me 6 prill me titull ‘Furnizim me material shpenzues sanitar për nevojat e shërbimeve shëndetësore për mbrojtje nga coronavirusi në Komunën e Prizrenit’.

Fitues i kësaj kontrate është operatori ekonomik me emrin ‘Eka Traddeing’.

Ndërsa Komuna e Mitrovicës, e ka bërë njoftimin për dhënien e kontratës në vlerë prej 33 mijë e 850 eurove, me titullin ‘furnizime emergjente mjekësore-preparate dhe paisje tjera për shkak të pandemisë COVID-19’. Kontrata i është dhënë operatorit ‘Kiga’, me datë 3 prill, ndërsa kontrata finale ende nuk është nënshkruar.

Po ashtu edhe Komuna e Podujevës e ka dhënë një kontratë për paisje mbrojtëse, ndërsa ende kontrata finale, sipas portalit shtetëror të prokurimit, nuk është  nënshkruar.

Kontrata e tillë me titull ‘furnizim urgjent me mjete dhe pajisje mbrojtëse për nevoja të stafit të QKMF-së, Administratës komunale, arsimit si përgjigje në situatën epidemiologjike të krijuar nga virusi COVID-19’. Njoftimi për dhënie të kontratës është bërë me 16 mars dhe fitues i kontratës, sipas njoftimit është grupi i operatorëve ekonomik ‘Neramed’ dhe ‘Genius Kosova’.

39 mijë euro ka shpenzuar Komuna e Deçanit, për kontratën me titull ‘furnizim emergjent me material hixhenik dhe material tjetër për masat mbrojtëse kundër COVID-19.

Kjo kontratë është nënshkruar me 8 prill dhe operatori ekonomik fitues është ‘Gipa’.

Ndërsa Komuna e Fushë Kosovës ka shpenzuar 55 mijë e 880 euro, në dy kontrata për paijse mbrojtëse.

E para është nënshkruar me 31 mars, me titull ‘furnizim me material mjekësor, barna dhe material tjetër shpenzues për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve’, në vlerë prej 23 mijë e 430 eurove. Fitues i kontratës ishte operatori ekonomik ‘Triomed’.

Kurse kontrata e dytë është nënshkruar me 8 prill, me titullin ‘Furnizim me paisje dhe material mjekësor’ në vlerë prej 32 mijë e 450 eurove. Fitues i kontratës ishte ‘Made-Kos’.

Vlera e përgjithshme që këto komuna kanë nënshkruar kontrata të këtij lloji për t`u pajisur me materiale mbrojtëse është 260 mijë e 120 euro.

 

KALLXO.com, ka raportuar edhe për kontratat e komunave që i kanë nënshkruar me procedurë të negociuar, për dezinfektim të hapisrave publike.

 

Dosja- Në emër të COVID19, gjysmë milioni euro shpenzohen në kontrata pa konkurrencë