Sa kushtoi nata e Isa Mustafës në hotelin 'Hilton' në New York? (DOKUMENT)

Vetëm shpenzimet e fjetjes dhe sigurimet e kabinetit të ish-kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa në hotelin “Hilton Manhattan East” në New York i kishin kushtuar buxhetit të Kosovës 15,951 euro.

Shpenzimet e fjetjes të pesë personave nga kabineti Mustafa i kanë kushtuar buxhetit të Kosovës 15,546.10 euro ndërsa sigurimet kanë kushtuar 404.95 euro. Në total, qëndrimi i tyre në hotel “Hilton Manhattan East” në New York ka kushtuar 15,951.05 euro.

Ky udhëtim ishte bërë në fund të muajit shtator të vitit 2015.

Në këtë faturë nuk janë përfshirë bileta e aeroplanit dhe shpenzimet e ushqimit.

Pjesë e këtij udhëtimi kanë qenë 5 persona, ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa; ish-shefja e kabinetit Mustafa, Vlora Dumoshi; ish-këshilltari i jashtëm i Mustafës, Edon Myftari, ish-shefja e protokollit në kabinetin Mustafa, Burbuqe Thaçi dhe ish-shefi i Zyrës për informim i kryeministrisë, Drilon Zogaj.

Kjo vizitë ishte nën organizimin e Konsulatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës.

Në këtë vizitë, më së gjati në hotelin “Hilton Manhattan East” në New York kishte qëndruar ish-shefja e kabinetit Mustafa, Vlora Dumoshi. Ajo ishte akomoduar në hotel për 10 ditë, nga 22 shtatori deri më 1 tetor 2015.

Qëndrimi i Dumoshit në hotel i ka kushtuar buxhetit të Kosovës 6,382.89 dollarë (tash 5,776.55 euro).

Ish-kryeministri, Isa Mustafa, ish-shefi i Zyrës për informim i kryeministrisë, Drilon Zogaj dhe ish-shefja e protokollit në kabinetin Mustafa, Burbuqe Thaçi kishin arritur në hotel “Hilton Manhattan East” në New York më 26 shtator dhe ishin larguar më 1 tetor.

Edhe pse Mustafa, Zogaj dhe Thaçi kishin qëndruar në hotel për ditë të njëjta, pra për 6 ditë, shpenzimet e tyre ndryshojnë. Mustafa ka shpenzuar 745.9 dollarë (tash 675.044 euro) më shumë se Zogaj dhe Thaçi.

Qëndrimi i Zogajt dhe Thaçit në hotel “Hilton Manhattan East” në New York kanë kushtuar nga 3,546.05 dollarë (tash 3,209.97 euro) secilit, ndërsa qëndrimi i ish-kryeministrit Mustafa ka kushtuar 4,291.95 dollarë (tash 3,885.18 euro).

Anëtari tjetër i kabinetit Mustafa, ish-këshilltari i tij i jashtëm, Edon Myftari, ka qëndruar vetëm 5 ditë në New York, nga 26 shtatori deri më 30 shtator 2015. Akomodimi i tij në hotel “Hilton Manhattan East” ka kushtuar 2,836.84 dollarë (tash 2,568.41 euro). 

KALLXO.com ka siguruar faturat e shpenzimeve nga koha e qeverisjes së LDK-së.

Krytari i LDK-së, Isa Mustafa, ka mbajtur postin e kryeministrit nga muaji dhjetor i vitit 2014 deri në muajin maj të vitit 2017.

KALLXO.com raporton në vazhdimësi për shpenzimin e parasë publike nga zyrtarët e lartë publikë. Të gjitha shkrimet në lidhje me shpenzimet e komunave dhe qeverisë mund t’i lexoni KËTU.