Sa kushtoi dreka e parë e komunarëve të Obiliqit

Komuna e Obiliqit shpenzoi 1 mijë e 318 euro për drekën e parë të këtij mandati.

Më 21 dhjetor të vitit të 2017, pasi që kryetari i Komunës kishte dhënë betimin së bashku me asamblistët e tjerë, kishin marrë rrugë për një restorant larg qytetit, për të festuar mandatet e tyre.

Atë ditë, të zgjedhurit e komunës së Obiliqit menjëherë pas betimit kishin shpenzuar 1 mijë e 318 euro për drekë zyrtare.

“Urdhërohet drejtoria për EFZH të zbatoj pagesën për shpenzime në emër të reprezentacionit me rastin e dhënies së betimit të kryetarit dhe delegatëve të KK-së më 21.12.2017 dhe mysafirët e pranishëm, sipas faturës nr.0075789 të datës 21.12.2017 të SHPK California në Milloshevë, në shumë prej 1,318.00E”, thuhet në kërkesën e Komunës për kryerjen e kësaj pagese.

Kuvendi Komunal i Obiliqit numëron 21 këshilltar, së bashku me kryesuesin e Kuvendit.

Kryetar i Komunës së Obiliqit është Xhafer Gashi.

KALLXO.com ka filluar publikimin e dosjes “Sa Han Kryetari”, ku do të bëhen publike shpenzimet e drekave dhe darkave zyrtare të kryetarëve të komunave dhe zyrtarëve të tjerë.

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Përmbajtja është përgjegjësi e BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i KFOS-it.