Sa kushtoi ajvari në tavolinën e Ramush Haradinajt? (Dokument)

Saktësisht 2 vite më herët në emër të Zyrës së Ramush Haradinajt ishte shtruar një darke me vlerë prej 774 euro e 20 cent.

Në darkën e shtruar nga Ramush Haradinaj ishin shpenzuar 175 euro për 7 shishe verë.

Në këtë darkë ishin porositur 2 lloje të verërave. 6 shishe verë Cabernet me vlerë totale 150 euro apo 25 euro për shishe. Si dhe një shishe Chardone me vlerë 25 euro.

Përveç verës, në këtë darkë ishin pirë edhe 22 shishe ujë që kishin kushtuar 57 euro e 20 cent.

Për ushqime, të pranishmit ishin kujdesur që të porosisin ushqime të ndryshme.

25 euro ishin shpenzuar për ajvar, ndërsa 56 euro për qofte.

Ndërsa 49 euro ishin shpenzuar për Mish Viqi në tavë Elbasani.

147 euro ishin shpenzuar për porcione për mish viqi. Të pranishmit kishin provuar edhe pleskavica.

KALLXO.com përmes kërkesës për qasje në dokumente publike ka marrë faturat e shpenzimeve të drekave dhe darkave zyrtare të Kryeministrit dhe zëvendëskryeministrave.

Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht Zyra e Kryeministrit, sot ka reaguar ndaj publikimeve të faturave në media.

Zyra e Kryeministrit ka apeluar te mediat që i publikojnë këto fatura, të mos ja etiketojnë shpenzimet kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, por të gjithë stafit të Qeverisë.

“Është e papranueshme që të manipulohet opinioni publik duke tentuar që kategorizimit “Dreka” t’i epët konotacion individual si shpenzim nga Kryeministri Haradinaj, përderisa në këtë kategori siç e cekëm më lartë, përfshihen njëkohësisht edhe të gjitha shpenzimet zyrtare të stafit, shpenzimet protokollare, ceremoniale për mysafirë dhe delegacione nga vendi dhe të huaja në emër të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e Zyrës së Kryeministrit.

Po ashtu në reagim thuhet që të merret parasysh “dinamika e lartë e aktiviteteve shtetërore, të Institucionit të Kryeministrit dhe Kryeministrit Haradinaj në veçanti”.