Sa i kushtoi festimi i pavarësisë Junikut

Darka e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Komunës së Junikut i kushtoi gati 800 euro.

Ndonëse fatura e datës 17 shkurt 2018, ishte arsyetuar vetëm me togjalëshin ‘ushqim+pije’ ashtu siç janë shumica e faturave të kësaj komune, KALLXO.com ka kërkuar informacione shtesë për këtë shpenzim.

Në një përgjigje dhënë për KALLXO.com, Leonita Jasiqi, drejtoreshë për Administratë të Përgjithshme, në këtë komunë, ka thënë se në këtë darkë kanë qenë të ftuar një numër i madh i mysafirëve.

“Kanë qenë 120 persona të ftuar, përfaqësues nga të gjitha klubet e atletikës së Kosovës. Kjo darkë është organizuar për Maratonën “Vrapimi i Pavarësisë”, vrapim ky i cili është organizuar për 10 vite me radhë në Komunën e Junikut”, ka thënë ajo.

Tutje ajo ka thënë se për 10 vite me radhë është mbajt ky vrapim ne Komunën e Junikut, i cili është  organizuar nga Federata e Sportit të Kosovës në bashkëpunim me Komunën.

KALLXO.com në kuadër të dosjes Sa Han Kryetari, ka raportuar për drekat dhe darkat e shtrenjta të Komunës së Junikut.

Komuna e vogël e Junikut për vetëm 4 dreka ka shpenzuar 3 mijë euro.

Poashtu KALLXO.com ka raportuar se Komuna e Junikut ka shpenzuar 90 euro për t’i akomoduar në “odë” 6 çiklistë të Shqipërisë.

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Përmbajtja është përgjegjësi e BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i KFOS-it.