Sa dhe kujt i ka borxh Kryeprokurori i Shtetit?

420 mijë euro ka vlerë pasuria e përgjithshme e paluajtshme e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksander Lumezi.

Si pasuri të paluajtshme të deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Lumezi ka deklaruar dy banesa, njëra me sipërfaqe 79 m2 dhe tjetra me sipërfaqe 45 m2 e po ashtu edhe një shtëpi me sipërfaqe 268 m2 e cila arrin vlerën prej 220 mijë eurove.

Ndërsa si pasuri të luajtshme Kryeprokurori i Shtetit ka deklaruar një veturë të tipit “Opel Corsa” e cila është në emër të gruas së tij, vlera e të cilës thuhet se është 6 mijë euro, dhe një veturë Mini Cooper në vlerë 19 mijë euro në emër të fëmijëve.

Lumezi ka thënë se posedon edhe 5 piktura vlerën e përgjithshme të të cilave e ka llogaritur 15 mijë euro.

Lidhur me pjesën e deklarimit të letrave me vlerë apo aksioneve në shoqëri komerciale, Lumezi ka thënë se nuk ka as aksione e as letra me vlerë.

E sa i përket parave të gatshme të kursyera në institucionet bankare, në AKK figuron se Aleksandër Lumezi ka 36 mijë e 739 euro të kursyera në bankë në emër të tij, ndërsa në emër të gruas së tij ai ka deklaruar se ajo ka të kursyera në bankë 11 mijë e 283 euro si dhe 11 mijë e 835 euro të tjera ka thënë se janë në emër të fëmijëve të tyre.

Por Lumezi përpos këtyre kursimeve që posedon në bankë, si duket ka edhe disa borxhe.

Në AKK, Lumezi ka deklaruar se ka një borxh prej 29 mijë eurove detyrim ndaj vëllait të tij si dhe 60 mijë euro kredi të cilën ka thënë se e ka marrë për ndërtimin e shtëpisë.

E si të hyra vjetore Aleksandër Lumezi ka deklaruar shumën prej 50 mijë e 982 eurove.